Një grua 38-vjeçare nga Brazili është dënuar me një vit e gjysmë burg pasi u shtir për më shumë se një vit si një vajzë 12-vjeçare, me qëllim që të përfitonte ushqim, strehim dhe kujdes mjekësor falas nga një familje.
Amanda Maria Souza, nga Santa Catarina, u dënua më herët këtë javë, pasi autoritetet zbuluan skemën e saj të pazakontë.
Sipas policisë, Souza, e cila në atë kohë ishte 37 vjeçe, iu prezantua familjes me emrin “Gabrielle” dhe pretendoi se ishte 12 vjeç. Për të bërë më të besueshme historinë e saj, ajo u shfaq e veshur edhe me rroba me personazhin Minnie Mouse.
Sipas dokumenteve gjyqësore, fillimisht ajo iu drejtua familjes përmes një pastori të kishës, duke pretenduar se ishte 18 vjeçe, kishte përvojë në pastiçeri dhe po kërkonte punë.
Pasi çifti e lejoi të qëndronte përkohësisht në shtëpinë e tyre, Souza filloi të pretendonte se kishte probleme shëndetësore dhe nuk kishte para për t’u trajtuar.
Më vonë, ajo ndryshoi historinë e saj dhe u tha anëtarëve të familjes se ishte vetëm 11 vjeçe dhe se kishte qenë viktimë e abuzimit.
Çifti besoi se po ndihmonte një fëmijë në nevojë dhe e strehoi në shtëpinë e tyre. Madje, familja organizoi një festë për ditëlindjen e saj, duke besuar se po festonin 12-vjetorin.
Souza u arrestua më 2 qershor, pasi një prej anëtarëve të familjes dyshoi se diçka nuk shkonte. Autoritetet e akuzuan për mashtrim dhe përdorim të identitetit të rremë.
Gjatë procesit gjyqësor, autoritetet theksuan pasojat sociale dhe ndikimin emocional që mashtrimi pati te familja, pasi ajo zbuloi moshën e vërtetë të gruas.
Gjykata vlerësoi gjithashtu si rrethanë rënduese faktin se Souza kishte jetuar me familjen për më shumë se një vit.
Më herët këtë vit, nutricionistja Renata Magallanes, e cila pretendon se ishte viktimë e një mashtrimi të ngjashëm në Rio de Janeiro në vitin 2023, tha se Souza dyshohet se kishte kërkuar mënyra për të imituar sjelljen e një fëmije.
Sipas saj, gruaja kishte tentuar gjithashtu të kopjonte sjellje të lidhura me adoleshentët me autizëm.
Magallanes, nutricioniste klinike pediatrike e specializuar në autizëm, tha se kjo strategji mund të ketë funksionuar pasi autizmi diagnostikohet kryesisht përmes vlerësimit të shenjave dhe sjelljeve klinike dhe jo përmes testeve laboratorike.







