Ballina Kronika Përplasi për vdekje një 66-vjeçar në Durrës, gjykata lë në burg taksistin...

Përplasi për vdekje një 66-vjeçar në Durrës, gjykata lë në burg taksistin 26-vjeçar

59
0

Pas aksidentit tragjik në plazhin e Durrësit, ku humbi jetën një 66-vjeçar, gjykata vendosi që taksisti 26-vjeçar të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj Talellit, një ditë më parë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa ka vleftësuar të ligjshëm edhe arrestimin e tij në flagrancë.

26-vjeçari po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi dyshohet se ishte drejtuesi i automjetit që u përfshi në aksidentin me pasojë vdekjen e 66-vjeçarit Fezi Dine i cili po ecte qetësisht në trotuar.

Vendimi i gjykatës e mban Talellin në paraburgim, ndërsa hetimet do të vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Nga hetimet paraprake rezulton se aksidenti ndodhi nga pakujdesia e taksistit.

Ai akuzohet për veprën penale parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.

Kur shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor shkakton vdekjen e një personi, Kodi Penal parashikon dënim nga dy deri në dhjetë vjet burgim.