Ballina Kosovë Ramush Haradinaj propozon emrin e Hashim Thaçit për president (është i bindur...

Ramush Haradinaj propozon emrin e Hashim Thaçit për president (është i bindur se do shpallet i pafajshëm)

58
0

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po i shtyn qëllimisht proceset për formimin e institucioneve të reja. Ai ka propozuar ish-presidentin Hashim Thaçi për një mandat të ri si president i Kosovës.

Haradinaj e ka cilësuar si “nder” për këtë legjislaturë që mandati i presidentit t’i jepet Thaçit. Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë më 16 shtator aktgjykimin në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature, që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi.

Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderi ynë si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie politike, por për shkak të një kundërpërgjigjeje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe ‘x’ opsione të tjera, mos me mbajtë peng Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje për mos thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. Duke komentuar incidentin ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit, Haradinaj tha se ky veprim erdhi si pasojë e mospropozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit.

“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi institucionet, mbi çdo obligim kushtetues e ligjor. Mos thirrja e seancës, me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë, është vetëm alibi.

Dhuna ka ndodhur, gjuajtja me vezë për Kurtin, jo pse e ka thirrë seancën, por pse nuk po kandidon kryetarin e Kuvendit, që është detyrë e tij”, u shpreh Ramush Haradinaj para mediave.