Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Anchor”, rezultat i një hetimi të thelluar të zhvilluar me metoda speciale të hetimit, në kuadër të një procedimi penal.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC.
Gjithashtu, u sekuestruan 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 000 euro cash.
Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario, Kanada, dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada.
Po nga hetimet dyshohet se, pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike shpërndahej më tej në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Në vijim të operacionit, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 3 shtetasve:
T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të tre shtetas kosovarë.
Këta shtetas u arrestuan si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, u shpallën në kërkim shtetasit H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.







