Ish-drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Arben Cara, ka reaguar publikisht disa ditë pas largimit nga detyra, duke kundërshtuar mënyrën se si është vlerësuar puna e strukturave zjarrfikëse gjatë sezonit të vështirë të zjarreve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cara ka dhënë versionin e tij lidhur me largimin, duke deklaruar se vendimi për transferimin e kompetencave drejtuese nga zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, është marrë brenda vetëm gjashtë minutash.
Cara ka kritikuar edhe mënyrën se si është gjykuar performanca e strukturave zjarrfikëse. Sipas tij, puna e një drejtuesi nuk mund të matet vetëm duke parë se deri ku kanë avancuar flakët, pasi ndërhyrjet kryhen në kushte ekstreme dhe me rrezik real për jetën e efektivëve.
Ai thekson se zjarrfikësit nuk mund të futen në çdo situatë pa marrë parasysh rrezikun që paraqet terreni dhe kushtet e ndërhyrjes.
“Zjarri nuk luftohet me lajme dhe fotografi”, shprehet Cara, duke nënvizuar se menaxhimi i zjarreve kërkon vlerësim të situatës konkrete në terren dhe jo vetëm pasqyrim të pamjeve të vatrave të zjarrit.
Largimi i Carës nga detyra u bë në mes të gushtit, në një periudhë kur vendi po përballej me një numër të lartë vatrash zjarri në disa qarqe. Menaxhimi i situatës dhe reagimi i strukturave zjarrfikëse kanë qenë në qendër të debateve të ditëve të fundit.
Pas largimit të tij, Ministria e Punëve të Brendshme prezantoi Ervis Gjoshin si drejtues të komanduar të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.






