Ballina Blog Mjerim i madh, që sot opozitari më i madh i kryeministrit është...

Mjerim i madh, që sot opozitari më i madh i kryeministrit është kush e shan si bastard të Kristaq Ramës dhe Spiro Kolekës

29
0

Nga Blendi Kajsiu

Venitja e yllit politik të berishizmit ka nxjerrë në pah nevojën për një llogjikë të re opozitare përballë pushtetit komod të socialistëve. Zhvillimet e fundit kanë treguar se opozitarizmi nuk mund të reduktohet thjesht tek denoncimi dhe sharja e kryeministrit dhe as nuk mund të mobilizojë pakënaqësinë e qytetarëve nëse opozita nuk ka besueshmëri në publik.

Denoncimi i korrupsionit dhe autoritarizmit të qeverisjes aktuale nuk ngjit në publik për sa kohë denoncuesit kanë vrarë njerëz në shesh për të mbrojtur korrupsionin e tyre. Ndaj hapi i parë i opozitës së re duhet të jetë një katarsis i thellë me të kaluarën. Pa u ndarë qartë nga fenomene si Gërdeci apo 21 Janari, nga kulti i i liderit dhe privatizimi i partisë në funksion të tij opozita nuk do jetë efikase në denoncimin e korrupsionit të qeverisjes Rama the aq më pak do mund të ofrojë një alternativë qeverisëse.

Pa katarsis nuk ka rithemelim politik të PD-së, por vetëm rrudhje elektorale të saj. Procesin e katarsis nuk mund ta udhëheqë as Berisha dhe as Basha sepse ata janë tumori politik që PD-ja duhet të pastrojë. Të dy janë protagonistë të Gërdecit, 21 Janarit dhe të dhunimit të demokracisë brenda PD-së në funksion të pushtetit të tyre.

Aq më pak mund të zhvillohet katarsis politik i opozitës krah parazitëve të korruptuar të tranzicionit shqiptar të tipit Meta-Mediu. Aleanca të tilla vrasin frymën e ndryshimit të opozitarizmit duke i hequr atij shumë më tepër vota sec i japin. Nuk ka ndryshim të pushtetit pa një frymë ndryshimi. Nuk mund të ketë një frymë ndryshimi pa një katarsis të thellë të kënetës opozitare.

Pjesë e këtij katarsis duhet të jetë edhe llogjika e re e opozitarizmit që shkon përtej denoncimit të Edi Ramës tek kritika dhe alternativa ndaj modelit të tij zhvillimor. Denoncimi, sidomos kur degjeneron në sharje, nuk është kritikë dhe aq më pak alternativë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë të qartë se problemet e tyre nuk zgjidhen thjesht duke sharë kryeministrin. Ky është një sport që ata e bëjnë shumë mirë vetë në kafe, në punë edhe në shtëpi.

Kritika nuk do të thotë mohim i çdo zhvillimi që ka ndodhur gjatë pushtetit socialist, dhe as denoncim i Ramës si kryeministri më i korruptuar në historinë e botës, pasi ky lloj nihilizmi ofendon inteligjencën e elektoratit shqiptar që është shumë më i sofistikuar se politikanët e tij aktual. Kritika do të thotë të pranosh që në këto dhjetë vite Shqipëria është zhvilluar, PPB është zgjeruar, dhe infrastruktura e saj është përmirësuar ndjeshëm.

Ama ky zhvillim për shumicën e qytetarëve shqiptar është përjetuar si varfërim, si rritje çmimesh, apo si punësim jo cilësor, që nuk prodhon të ardhura të mjatueshme për të mbijetuar. Zhvillimi që kanë prodhuar socialistët nuk ka prodhuar mirëqenie tek shumica e qytetarëve dhe aq më pak tek shtresat në nevojë. Ka mjaft të dhëna nga Banka Botërore që tregojnë se rreth 60% e shqiptare janë në një situatë ekonomike delikate dhe pranë rënies në varfëri.

Zhvillimi socialist nuk është i qëndrueshëm sepse nuk është bazuar as tek rritja e produktivitetit dhe as në përmirësimin e sitemit tonë arsimor. Për të kuptuar këtë mjafton të shikosh raportet e Bankës Botërore. Cilësia e arësimit shqiptar dhe investimi i qeverisë sonë në arësim mbetet nga më të ultat në rajon.

Nuk është e nevojëshme të jesh ekonomist për të kuptuar që nuk ka zhvillim të qëndrueshëm, përfshirës dhe afatgjatë pa revolucion në arësim dhe shkencë, nga ku buron edhe rritja e produktivitetit. Pa folur për sektorë të tjerë si ai industrial dhe teknologjik ku ende mungon një strategji afatgjatë zhvillimi. Shqipëria ende nuk ka një politikë industriale.

Ideja se mjafton të shtrosh rrugë dhe zhvillimi automatikisht do i prekë të gjithë qytetarët është tejet naive. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet përmirësuar infrastruktura, por se zhvillimi infrastrukturor nuk transformohet automatikisht në mirëqënie sociale. Mjafton kriza e fundit në Greqi pas bumit të saj infrastrukturor për të na kujtuar se rrugët nuk janë të mjaftueshme për të evituar krizat ekonomike dhe sociale.

Vetëm pas një kritike të tillë mund të fillojë ndërtimi i alternativës opozitare. Përballë theksit qeveritar tek zhvillimi infrastrukturor opozita mund të theksojë mirëqenien sociale dhe reduktimin e varfërisë, fusha ku qeverisja aktuale nuk pasur sukses. Pavarësisht zhvillimit infrastrukturor dhe turistik shumica e shoqërisë shqiptare jeton ose në nivelin e varfërisë ose shumë pranë tij.

Përballë politikave sociale për të pasurit, që përfitojnë trualle falas dhe taksa zero nga qeveria, opozita duhet të theksojë politikat sociale për shtresën e mesme dhe ata vulnerabël. Nëse qeveria aktuale ka prioritet infrastrukturën opozita mund të ofrojë si prioritet arsimin dhe teknologjinë.

Nëse qeveria aktuale ka prioritet transportin ajëror opozita mund të ofrojë si prioritet transportin hekurudhor, transportin publik interurban, apo sisteme transporti publike moderne si tramvai, të domosdoshme për qytete të mëdha si Tirana.

Përballë marinave të jahteve dhe aeroporteve që ofron pushteti, opozita mund të theksojë varfërinë e transportit tonë publik urban dhe inter-urban, mungesën e stacioneve të autobuzit për shumicën e qytetarëve që nuk kanë jahte. Në tre mandate qeverisës Partia Socialiste ende nuk ka përfunduar ndërtimin e një stacioni autobuzi modern për kryeqytetin edhe pse ofron aeroporte dhe marina jahtesh nëpër Shqipëri.

Përballë tërheqjes së investimeve të huaja që ndërtojnë pallate e kulla, opozita duhet të theksojë tërheqjen e investime të huaja që ndërtojnë fabrika dhe na sjellin teknologji. Ndërtimi i apartamenteve nga investitorë të huaj nuk është lloji i investimit që ndihmon zhvillimin e produktivitetit të ekonomisë sonë. Përkundrazi është një nga faktorët që dëmton industrinë vendase të ndërtimit dhe ndikon në rritjen e inflacionit dhe të kostos së jetes për shumicën e qytetarëve.

Alternativa qeverisëse e opozitës nuk mund të reduktohet thjesht tek denoncimi i korrupsionit por tek prioritete e gabuara të qeverisjes aktuale. Natyrisht që korrupsioni duhet denoncuar, hetuar dhe kritikuar nga opozita. Ama nëse opozita pranon se thelbi i problemit është korrupsioni ajo ka pranuar se nuk ka asnjë problem me prioritetet dhe modelin e zhvilllimit të qeverisë por thjesht me zbatimin e tij.

Ky është reduktim i kritikës së politikave publike thjesht tek zbatimi i tyre. Në rastin e inceneratorëve problemi nuk ishte thjesht tek korrupsioni, por tek deformimi i strategjisë për menaxhmin e integruar të mbetjeve që si prioritet kish rickilimin dhe jo diegien e tyre. E thënë ndryshe, opozita nuk duhet ti premtojë qytetarëve se do ngrejë inceneratorë më të mirë se socialistët, por se strategjia e saj për menaxhimin e mbetjeve do bazohet tek ngritja e qendrave të ricklimit dhe jo të diegies.

Në të njëjtën mënyrë në vend që të mohojë arritjet e qeverisë në nxjerrjen e dokumentave online me e-albania opozita duhet të kritikojë fantazinë e kryeministrit Rama se administrata publike mund të reduktohet tek inteligjenca artificiale. Asnjë zhvillim teknologjik nuk e zëvendëson domosdoshmërinë e një administrate të aftë dhe meritokratike. Administrata moderne është meritoratike dhe jo thjesht elektronike.

Me gjithë premitimet e saj për modernizim të administratës publike shqiptare qeveria Rama është shumë larg standartit meritokratik. Dhe kjo duhet theksuar çdo ditë nga opozita. Bashkë me propozimin e saj se si do ta ndëtojë një administratë të tillë kur të vijë në pushtet.
Vetëm një kritikë e modelit zhvillimor të qeverisë aktuale mund të prodhojë alternativë qeverisëse që tërheq vëmendjen e elektoratit. Në thelb të kësaj kritike duhet të vendoset premisa e gabuar e qeverisjes aktuale se modernizmi automatikisht prodhon zhvillim dhe mirqënie të njëjtë për të gjithë shoqërinë. Një llogjikë teknokratike që mendon se zhvillimi teknologjik e bën të panevojëshme politikën si proces i shpërndarjes së të mirave materiale dhe jo-materiale.

Eksperienca e dekadës së fundit ka treguar se zhvillimi i pamohueshëm gjatë qeverisjes socialiste është përjetuar si varfërim për shumicën e qytetarëve shqiptarë që sot përballen me një kosto më të lartë jetese dhe me mundësi punësimi mediokre që nuk ofrojnë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet. Pa folur për situatën e rëndë në të cilën vazhdojnë shumica dërrmuese e pensionistëve shqiptar.

Nuk është rastësi që shumica e qytetarëve nuk janë të kënaqur me qeverinë aktuale. Për këtë shumicë kullat e shëndritëshme dhe moderne në qendër të Tiranës, me çmimet e tyre stratosferike, janë simbole të varfërimit të tyre në një qytet ku jetesa bëhet gjithnjë e më e papërballueshme për qytetarin e thjeshtë.

Në këto kushte kritika e opozitës nuk mund të mbetet tek betonizimi i kryeqytetit apo tek mohimi nihilist i transformimit infrastrukturor dhe modernizues që ka përjetuar Tirana dhe qytete të tjera shqiptare. Është e nevojëshme një alternativë që prodhon zhvillim dhe modernizim përfshirës për të gjithë qytetarët dhe jo për një pakicë të privilegjuar.

Kjo alternativë nuk krijohet në shesh por në parlament dhe në institucione. Sheshi është hapësira ku shprehet shoqëria dhe jo politika. Si i tillë ai nuk duhet uzurpuar pa pushim prej opozitës politike. Një uzurpim i tillë zhvendos dhe sfumon opozitën shoqërore që ndonëse e ushqen opozitën politike është e ndryshme prej saj.

Sheshi dhe rruga janë hapësirat ku mund dhe duhet të zhvillohet opozita shoqërore ndaj politikave specifike të qeverisë. Është një opozitë që nuk ofron një alternativë qeverisëse, por që synon rrëzimin e një politike specifike. E tillë ishte protesta kundër marrjes së armëve kimike nga Siria, protesta kundër importit të mbetjeve në Shqipëri, protesta e studentëve apo protesta kundër rritjes së çmimeve.

Sukesesi i pothuajse të gjitha protestave të mësipërme tregon se sheshi dhe rruga janë instrumenti politik ideal për opozitën sociale por jo për atë politike. Sheshi dhe rruga nuk i kanë ofruar pothuajse asnjë fitore opozitës politike në dhjetë vitet e fundit. Asnjë aksion i saj jashtë institucionve nuk është kurorëzuar me sukses.

Që nga viti 2013, kur PD-ja doli në opozitë, ajo ka pasur dy fitore të qarta politike, ligjin për dekriminalizimin e politikës dhe komisionin hetimor për inceneratorët. Me ligjin e dekriminalizimit opozita tregoi qartë lidhjet e pushtetit socialist me krimin. Me komisionin hetimor të inceneratorëve hodhi dritë mbi njërin prej skandaleve më të mëdha korruptive të qeverisjes aktuale. Të dyja këto fitore u arritën në mënyrë institucionale në parlament, jo në rrugë.
Kjo nuk do të thotë që opozita politike nuk duhet të protestojë dhe të kritikojë në shesh keq-qeverisjen apo autoritarizmin e pushtetit. Thjesht rruga nuk mund të jetë instrumenti i vetëm i opozitarizmit politik. Aq më pak duhet të shndërrohet në një alternativë ndaj aksionit institucional.

Natyrisht që institucionet shqiptare nuk janë perfekte, natyrisht që shpesh janë të padrejta me opozitën. Ama goditjet më të mëdha që ka marrë pushteti socialist kanë qenë ose brenda këtyre institucioneve, si parlamenti, ose prej institucioneve si SPAK. Ndaj forcimi i institucioneve forcon opozitën dhe jo qeverinë.

Këtu duhet kuptuar se institucionet nuk janë godina apo individë por rregullat e lojës demokratike. Shumë prej këtyre rregullave janë deformuar në mënyrë të tillë që republika shqiptare sot më shumë se parlamentare është kryeministrore. Një nga shkaqet e këtij deformimi janë ndryshimet kushtetuese Berisha-Rama të vitit 2008 që e transformuan presidentin në zgjatim të mazhorancës dhe e forcuan rolin e kryeministrit nëpërmjet listave të mbyllura.

Përballë këtij deformimi opozita duhet të ofrojë alternativën e saj institucionale. Nuk ka kuptim të shash gjithë ditën sistemin politik aktual dhe të mos ofrosh një alternativë. Listat e hapura apo një president që zgjidhet me shumicë të cilësuar në parlament mund të jenë alternativa institucionale e opozitës përballë republikës kryeministrore të pushtetit aktual.

Një opozitarizëm i vërtetë bazohet tek kritika që prodhon alternativë qeverisëse dhe jo tek denoncimi që degjeneron në sharje. Është mjerimi madh të mendosh se opozitari më i madh i kryeministrit është kush e shan si bastard të Kristaq Ramës dhe të Spiro Kolekës. Kush merret me të vdekurit nuk mund të ofrojë alternativë qeverisëse për të gjallët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu