Shqipëria po shndërrohet gradualisht në një treg gjithnjë e më tërheqës pune për të huajt, teksa numri i atyre që zgjedhin të qëndrojnë në vend për arsye punësimi po rritet me ritme të shpejta nga viti në vit. Profili i të huajve që qëndrojnë në Shqipëri ka ndryshuar ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit.
Të dhënat për periudhën 2021-2025 tregojnë se rritja nuk ka ardhur në të njëjtën masë për të gjitha kategoritë, ndërsa punësimi është forcuar dukshëm si arsyeja kryesore e qëndrimit.
Në vitin 2021, rreth 7 mijë të huaj kishin leje qëndrimi për arsye punësimi, ndërsa në vitin 2025 numri arriti në 17,724. Në katër vjet bëhet fjalë për një rritje prej afro 149%, ose 10,600 persona më shumë. Edhe pesha e punësimit në total është zgjeruar, nga 47.7% në vitin 2021 në 55.1% në 2025.
Rritje ka pasur edhe te bashkimi familjar, por me ritëm më të ngadaltë. Numri u rrit nga 3,602 persona në 2021 në 6,359 në 2025, ose me rreth 77%. Megjithatë, pesha e kësaj kategorie në total ra nga 24.1% në 19.8%, pasi kategoritë e tjera, veçanërisht punësimi, u zgjeruan më shpejt.
Edhe studimi ka shënuar një rritje të fortë në numër, por ka patur rënie në peshë ndaj totalit. Nga vetëm 413 leje qëndrimi në vitin 2021, kjo kategori arriti në 1,004 në vitin 2025, duke u rritur me rreth 143%. Pesha e saj, megjithatë, mbetet e vogël dhe luhatet rreth 3-4% të totalit.
Një nga ndryshimet më të mëdha vihet re te kategoria “të tjera”, e cila u rrit nga 1,126 në 4,526 persona, ose rreth katërfish në pesë vjet. Pesha e saj pothuajse u dyfishua, nga 7.6% në 14.1%.
Ndryshe paraqitet kategoria humanitare, e cila ka pasur luhatje të forta, nga 2,656 persona në 2021, në 3,258 në 2022, më pas 2,669 në 2023, vetëm 201 në 2024 dhe 2,550 në 2025.







