Ballina Kronika Si shpëtoi Lazër Bashi në atentatin e Dukagjinit? Dëshmia: Kam ecur 2...

Si shpëtoi Lazër Bashi në atentatin e Dukagjinit? Dëshmia: Kam ecur 2 km në këmbë me plumb në shpatull…

114
0

Lazër Bashi, i vetmi i mbijetuar i atentatit të pasdites të së dielës në Shkodër, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, duke rrëfyer momentet e sulmit dhe mënyrën se si arriti të shpëtonte.

“Na thavi, krahin”, ishin fjalët e para që Bashi tha në telefon pasi arriti të dilte nga zona e ngjarjes. Ai ndodhej rastësisht në të njëjtën fuoristradë me Prelë dhe Lekë Gjonin, babë e bir, të cilët mbetën të vrarë nga breshëria e plumbave.

Sipas dëshmisë së tij, ndaj automjetit u qëllua me dy armë të ndryshme. Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës, u shtri për t’u mbrojtur dhe pavarësisht se u plagos në shpatull, arriti të mbijetojë.

I plagosuri ka treguar se priti disa minuta derisa autorët u larguan dhe më pas arriti të dilte nga automjeti. Në zonën ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal telefonik, ndaj Bashi u detyrua të ecte rreth 2 kilometra në këmbë, për afro 40 minuta, me plagën në shpatull.

Pasi mbërriti në një lokal pranë kryqëzimit të rrugës së Pultit me atë të Shoshit, ai telefonoi një të afërm dhe kërkoi ndihmë. Më pas, sipas asaj që ai ka treguar, pastroi gjakun në një çezmë pranë lokalit dhe priti transportimin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës. Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, më vonë u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Isha në të njëjtën fuoristradë me viktimat. U qëllua me breshëri plumbash ndaj mjetit. Isha në pjesë ne pasje të fuoristradës, shpëtova. Ndaj automjetit tonë u qëllua me dy armë të ndryshme. Prita të largoheshin autorët që të kërkoja ndihmë.

Mjeti u përmbys nga humbja e kontrollit, mezi arrita të dal. Në atë zonë s’kishte valë, eca 2km në këmbë dhe pastaj shkova në një lokal ku dhe telefonova familjarët”, mësohet të ketë thënë ai ndër të tjera.

Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit. Deri më tani, disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetuesit po verifikojnë disa pista, mes tyre edhe konflikte të mundshme të viktimave.

Prelë dhe Lekë Gjoni u qëlluan teksa po udhëtonin drejt Shkodrës, pasi kishin qenë në zonën e Dukagjinit. Autorët dyshohet se kanë përdorur dy armë zjarri dhe kanë qëlluar në drejtim të fuoristradës me dhjetëra plumba.