Ballina Aktualitet Bashkiaku i Kuçovës s’e humbet postin, Kreshnik Hajdari mbetet në detyrë! KAS...

Bashkiaku i Kuçovës s’e humbet postin, Kreshnik Hajdari mbetet në detyrë! KAS konfirmon vendimin e Celibashit, ja si u votua

72
0

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve konfirmon në detyrë kryebashkiakun socialist të Kuçovës, Kreshnik Hajdarin.

Me shumicë votash, KAS votoi në favor të vendimit të kryetarit të KQZ, Ilirjan Celibashi i cili konfirmoi gjithashtu në detyrë Hajdarin, duke rrëzuar sërish padinë e ish-kandidatit të koalicionit PD-PL, Lefter Maliqi.

Sipas argumentit të Celibashit, dënimi i Kreshnik Hajdarit nga Gjykata është aktualisht i paqenë sepse është kryer me shërbim prove në 150 orë pune komunitare sipas vendimit që caktoi drejtësia.

Ndaj dhe nuk ekzistojnë kushtet për ti ndërprerë mandatin e kryebashkiakut. Si precedent për Hajdarin, Celibashi iu referua edhe rastit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

Kreshnik Hajdari u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove.

Ky dënim erdhi pasi kryebashkiaku nuk kishte deklaruar një dënim të marrë 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar më pas në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës 17 vjeç.

Ky mosdeklarim në formular i ka kushtuar një betejë të gjatë politike me opozitën, e cila prej më shumë se 3 vitesh kërkon t’i hiqet mandati. Pala paditëse me në krye ish-kandidatin Lefter Maliqi ka edhe një mundësi ankimimi, ta çojë çështjen në hallkën e fundit, Kolegjin Zgjedhor për një vendim final.

Hajdari është në mandatin e 2 si kryebashkiak i Kuçovës, dhe ka të drejtën të rizgjidhet edhe për një mandat të tretë në rast se do të propozohet sërish nga PS si kandidat në pranverën e 2027.