Ballina Kronika FIER/ Procedohen penalisht gjashtë drejtues mjetesh, Policia Rrugore kontroll me pajisje inteligjente

FIER/ Procedohen penalisht gjashtë drejtues mjetesh, Policia Rrugore kontroll me pajisje inteligjente

45
0

Policia Rrugore në Fier ka intensifikuar monitorimin në akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qytetit, përmes pajisjeve inteligjente, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kësaj jave janë proceduar penalisht 6 shtetas për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor.

Tre prej tyre janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa tre drejtues të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Dy prej tyre akuzohen për drejtim të mjetit pa leje drejtimi, ndërsa një tjetër për drejtim automjeti në gjendje të dehur.

Në kuadër të kontrolleve parandaluese të zhvilluara nga grupet e kontrollit në rrugët urbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1 103 masa administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga këto, 864 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2, ndërsa 15 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit.

Gjithashtu, janë vendosur 3 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 66 për parakalim të gabuar, 11 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit dhe 10 për kryerjen e manovrave të rrezikshme.

Për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim aksidentesh, janë vendosur 134 masa administrative.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe dy motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.

Policia Rrugore Fier u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, duke theksuar rëndësinë e tyre për rritjen e sigurisë në rrugë, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.