Nga Red Varaku
Pas 90 ditëve rezistencë nuk ka më asnjë dyshim që Protesta e kaloi provën më të vështirë, duke realizuar atë që vetëm para tre muajve dukej e pamendueshme.
Ajo nuk i mbijetoi vetëm vapës, lodhjes dhe muajit gusht, por edhe rrugës brutale dhe të drejtpërdrejtë që po ndjek sistemi për delegjitimim, përçarje, lodhje, konflikte të brendshme, duke treguar që ajo është më e madhe se interesat e vogla të parazitëve që kërkojnë ta marrin peng atë.
Kjo rezistencë gjithashtu dëshmoi se kjo nuk është një protestë e prodhuar nga një parti apo nga një strukturë politike, sepse nëse do të ishte e tillë, do të ishte shuar që në ditët e para.
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim që ajo përfaqëson një përpjekje të drejtpërdrejtë të të gjithë shoqërisë shqiptare, për tu çliruar nga kthetrat e një establishmenti që ka marrë peng sistemin politik dhe që një pjesë e madhe e qytetarëve, e percepton thellësisht të korruptuar.
Pas kalimit të kësaj sprove, në shtator mazhoranca nuk do përballet më thjesht me një protestë, por me një krizë të thellë legjitimiteti politik. Çka do thotë që në qendër të debatit nuk do jetë më çështja a do të shuhet protesta apo jo, por çështja kryesore do jetë a do arrijë pushteti ta zgjidhë krizën?
Nga kjo perspektivë pas 90 ditëve, pushtetit i kanë mbetur vetëm tre rrugë.
E para: Të vazhdojë ta injorojojë, çka do të ishte një gabim shumë i rëndë sepse do çonte në një përplasje fatale, se kjo do ishte sikur Kapiteni i një anije të injoronte një ajsberg që ka përballë për shkak se nuk e beson që poshtë ajsbergut, ndodhen tre të katërtat e tij.
E dyta: Dialog ose negociatë me qëllim që të ketë zgjidhje institucionale. Këtu PESË PIKAT e protestës janë pika e matjes së aftësisë së saj për të prodhuar një zgjidhje politike , që gjithsesi deri tani qeveria po e refuzon qartazi.
E treta: Represion dhe shtypje me dhunë. Kjo e fundit jo vetëm nuk e zgjidh krizën, por përkundrazi vetëm e thellon atë dhe rrezikon ta shndërrojë krizën nga një krizë politike në një krizë destabilizuese për vendin.
Kjo e treta do të ishte fatale sepse do të vendoste para një testi të vështirë institucionet tona kushtetuese Parlamentin, Presidentin, Gjykatën Kushtetuese, Drejtësinë apo qoftë dhe Policinë e Shtetit.
Prandaj, shtatori mund të jetë shumë më tepër se një muaj tjetër protestash.
Mund të jetë testi i parë serioz i sistemit politik shqiptar përballë një lëvizjeje shoqërore të mirëfilltë, që synon dhënien fund të tranzicionit dhe kthimin e Shqipërise në duart e shqiptarëve.







