Ballina Politika Rama i mban lojën Veliajt para vendimit të Gjykatës së Lartë: “Është...

Rama i mban lojën Veliajt para vendimit të Gjykatës së Lartë: “Është kryetar i Bashkisë, po cënohet shërbimi ndaj qytetarëve”

86
0

Kryeministria ka reaguar pas vendimit të Erion Veliajt për shkarkimin e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, duke rikonfirmuar qëndrimin se Veliaj mbetet kryetar i zgjedhur i kryeqytetit dhe se mandati i tij lidhet jo vetëm me të drejtën personale të të zgjedhurit, por edhe me të drejtën e qytetarëve që e kanë votuar.

Në reagim, Kryeministria i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se “Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës” dhe se ushtrimi i mandatit nga ana e tij “nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit”.

Sipas Kryeministrisë, kjo e drejtë “cënohet përditë” dhe ka pasoja në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë së Tiranës.

“Kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush”, thuhet në reagimin e Kryeministrisë.

Sa i takon situatës së krijuar në Bashkinë e Tiranës, Kryeministria e lidh atë me faktin se Veliaj ndodhet në qeli, duke e cilësuar si burim konfuzioni për drejtimin e kryeqytetit.

Sipas reagimit, “kyçja e të zgjedhurit në qeli” ka imponuar një formë qeverisjeje të Tiranës “me vartës në distancë”, të cilën Kryeministria e quan një absurd ligjor që “në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet”.

Reagimi vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe institucional, ndërsa pritet që Gjykata e Lartë të shprehet për çështjen Veliaj dhe kompetencat e tij në krye të Bashkisë së Tiranës.