Ballina Europë Itali/ Tornadoja godet Kremonën, plagosen 40 persona

Itali/ Tornadoja godet Kremonën, plagosen 40 persona

79
0

Qyteti i Kremonës në Itali, është goditur nga një tornado e shoqëruar me breshër dhe erëra të forta. Sipas mediave italiane, moti i keq ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa zona.

Mes ndërtesave të prekura janë Katedralja dhe Bashkia. Nga fuqia e stuhisë është dëmtuar rëndë çatia e njërës prej majave të Katedrales, ndërsa është shembur edhe çatia e kullës qytetare të Bashkisë, e cila përbën një nga gjurmët e mbetura të ndërtesës së vjetër të qytetit.

Sipas raportimeve, rreth 40 persona kanë mbetur të plagosur. Të plagosurit raportohet se kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa në një rast më serioz, një automjet është goditur nga një pemë e rrëzuar në Via Giuseppina, në periferi të Kremonës. Personat që ndodheshin brenda makinës janë nxjerrë nga automjeti me ndihmën e banorëve dhe më pas të ekipeve të emergjencës.

Pjesa tjetër e të plagosurve janë goditur nga breshëri, copa çatie, tjegulla dhe materiale të shkëputura nga ndërtesat. Disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kryesisht për shkak të dëmtimeve dhe gjendjes së shokut.

Moti i keq ka prekur edhe zonën lindore të Bassa Piacentina, ku janë regjistruar reshje të dendura breshëri. Në Castelsangiovanni, në kufi me provincën e Pavias, kokrrat e breshërit kanë arritur madhësinë e topave të tenisit.

Shërbimet zjarrfikëse kanë marrë dhjetëra telefonata për ndihmë, kryesisht për shkak të pemëve të rrëzuara dhe dëmeve të shkaktuara në automjete.Stuhia ka prekur edhe zonat bujqësore, me dëme të raportuara veçanërisht në vreshta.