Ballina Sport Trajneri argjentinas u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës

Trajneri argjentinas u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës

77
0

Diego Simeone ka folur pas fitores 3-1 të Atlético Madrid ndaj Sevillas në “Ramón Sánchez Pizjuán”, në kuadër të xhiros së tretë të La Ligas.

Trajneri argjentinas u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, ndërsa u ndal edhe te forma e Álex Baena, përshtatja e Morten Hjulmand dhe situata delikate e Julián Álvarez në ditët e fundit të merkatos.

“Patëm fatin të zhvillonim një ndeshje shumë të mirë. Djemtë bënë një punë të shkëlqyer, si në rikuperimin e topit, ashtu edhe veçanërisht në tranzicionin gjatë ndërtimit të lojës”, deklaroi Simeone.

Ai theksoi se Atlético ishte përgatitur për presionin e lartë të Sevillas.

“E dinim se Sevilla vinte pas dy rezultateve shumë të mira dhe me një energji që do t’i shtynte të na bënin presion lart.”

Baena shkëlqen pas Kupës së Botës

Álex Baena ishte një nga protagonistët kryesorë të ndeshjes, duke realizuar dy gola.

Simeone e lidhi formën e tij të mirë me besimin që lojtari ka fituar pas Kupës së Botës.

“Nuk ka nevojë të thuhet shumë, gjërat flasin vetë. Është e qartë se motivimi dhe ndikimi që pati te ai fitimi i Kupës së Botës, si dhe besimi që mori nga trajneri duke luajtur çdo ndeshje, po reflektohen sot në lojën dhe punën e tij.”

Trajneri i Atlético-s kërkoi që Baena ta ruajë këtë nivel.

“Na duhet ky version i tij dhe sigurisht do t’i kërkojmë që ta vazhdojë, sepse kjo është pjesa më e vështirë.”

Hjulmand sjell ekuilibër

Simeone foli edhe për Morten Hjulmand, duke theksuar se mesfushori po përshtatet gradualisht me ritmin e futbollit spanjoll.

“Mbi të gjitha na sjell ekuilibër. Vjen nga një kampionat që luhet me ritëm më të ngadaltë dhe që nuk ka të njëjtën shpejtësi si liga spanjolle apo angleze.”

Simeone vlerësoi cilësitë e tij në pasime dhe në lojën ajrore.

“Pak nga pak po fiton më shumë siguri dhe shpejtësi në lojë. Ka pasime të mira mes linjave, është i fortë në ajër dhe shpresojmë të vazhdojë të përmirësohet. Na duhet dhe do të kërkojmë shumë prej tij, sepse i ka cilësitë për të na ndihmuar.”

“Diçka mund të ndodhë deri në fund të merkatos”

I pyetur se çfarë pret nga ditët e fundit të afatit kalimtar, Simeone shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë për shkak të situatës së Julián Álvarez.

“Nuk do ta them tani, për shkak të asaj që po ndodh me Julián dhe gjithë situatës rreth tij, që të mos shtoni interpretime nga ana juaj”, tha ai duke qeshur.

Megjithatë, trajneri la të hapur mundësinë për lëvizje të tjera në merkato.

“Unë gjithmonë them se diçka mund të ndodhë. E them çdo vit. Ky është futbolli dhe gjithmonë mund të ndodhë diçka. Por nuk po e them për ndonjë arsye të veçantë.”

Simeone: Julián është në procesin e tij personal

Kur u pyet drejtpërdrejt për gjendjen e Álvarez, Simeone u tregua i kujdesshëm.

“Ai është në procesin e tij personal.”

Trajneri theksoi se Atlético do të vazhdojë ta mbështesë sulmuesin argjentinas, por njëkohësisht pret që ai të kontribuojë për skuadrën.

“Ne do të jemi këtu për ta ndihmuar nga aspekti sportiv dhe që ai të na ndihmojë neve, sepse është një futbollist i jashtëzakonshëm.”

Deklaratat e Simeones vijnë në një moment kur e ardhmja e Álvarez vazhdon të jetë një nga temat kryesore të merkatos, ndërsa ditët e fundit të afatit kalimtar mund të sjellin zhvillime të reja..