Ballina Europë “Do të luftoj për lirinë e shtypit”/ RAI largon gazetarin e njohur...

“Do të luftoj për lirinë e shtypit”/ RAI largon gazetarin e njohur investigativ, shpërthen furtuna politike në Itali

65
0

Televizioni publik italian RAI është përfshirë në një përplasje të fortë politike pasi vendosi të largojë gazetarin veteran Sigfrido Ranucci nga drejtimi i emisionit investigativ “Report”, një prej programeve më të njohura të aktualitetit në Itali.

Ranucci kishte nëntë vjet në drejtimin e programit, i njohur për investigimet mbi politikën, institucionet dhe çështje të tjera të ndjeshme.

Vendimi ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila e konsideron largimin një goditje ndaj lirisë së medias dhe ka ngritur pikëpyetje për ndikimin e qeverisë së Giorgia Meloni mbi televizionin publik.

Vetë Ranucci deklaroi se nuk do ta drejtojë më “Report”, por se tashmë do të zhvillojë “betejën më të rëndësishme” të jetës së tij, atë për lirinë e shtypit.

RAI ka mohuar se vendimi lidhet me polemikat politike. Televizioni publik deklaroi se synon të forcojë gazetarinë investigative dhe t’u krijojë hapësirë profesionistëve të rinj. Në drejtimin e “Report” sezonin e ardhshëm do të jenë Giulia Presutti dhe Daniele Piervincenzi.

Por gazetarët e redaksisë së “Report” e kanë cilësuar vendimin “të papranueshëm” dhe kanë paralajmëruar se shumë prej tyre mund të largohen nëse RAI nuk tërhiqet.

Përplasja është shndërruar në një çështje të madhe politike. Liderja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e ka lidhur vendimin me një përpjekje të së djathtës për të dobësuar programin para zgjedhjeve të ardhshme. Në krahun tjetër, zëvendëskryeministri Matteo Salvini e ka përshëndetur largimin e Ranuccit.