Ballina Kulturë Si dukej burri që i mbijetoi Pushtimit Norman? Ekspertët rindërtojnë fytyrën e...

Si dukej burri që i mbijetoi Pushtimit Norman? Ekspertët rindërtojnë fytyrën e tij pas 1,000 vitesh

68
0

I njohur si “Burri i Pushtimit”, mbetjet e tij u analizuan nga studiues të English Heritage dhe Heritage England, duke përdorur analiza osteologjike, ADN-në e lashtë dhe testime të izotopeve, së bashku me një rindërtim digjital të fytyrës.

Rezultatet nga ADN-ja e tij sugjerojnë se ai kishte një prejardhje të konsiderueshme nga Evropa kontinentale. Ai u përshkrua si “i shëndoshë dhe muskuloz”, mbi pesë këmbë i gjatë dhe rreth 50 deri në 60 vjeç, me dëshmi të frakturave të shumta të shëruara.

Atij iu bë gjithashtu një varrim i privilegjuar në një kishë normane që në atë kohë ishte në pronësi të njërit prej kalorësve të William Pushtuesit, në kishën e Shën Pjetrit në Barton-upon-Humber, dhe u vendos për prehje në një arkivol të bërë nga një pemë lisi e prerë rreth vitit 1079.

Krahët e tij ishin të palosur, ndërsa koka mbështetej mbi një jastëk prej bari dhe mbahej që të mos binte anash nga dy copa gëlqerori vendas. Pranë tij ndodheshin tri shkopinj prej druri molle të cilët në traditën skandinave konsideroheshin të shenjtë.

Përpara hapjes së ekspozitës së sixhadesë së Bayeux-it dhe rikrijimit të Betejës së Hastingsit, English Heritage bashkëpunoi me studiues nga Historic England, Instituti Crick, Shërbimi Gjeologjik Britanik, Universiteti i Southampton-it, muVIS dhe FaceLab për të ekzaminuar “Burrin e Pushtimit”.

Kevin Booth, kuratori kryesor i koleksioneve në English Heritage, i cili koordinoi studimin, tha:

“Jam magjepsur nga ky individ, ky burrë i Pushtimit për 20 vjet. Kush ishte ai, çfarë përjetoi, a mund të ketë qenë në Betejën e Hastingsit, çfarë lloj personi mund të ketë qenë?”

“Me këtë analizë të re, duket sikur mund t’i afrohemi vërtet atij. Të jesh në gjendje tani të shohësh fytyrën e tij do të thotë të ndjesh se pothuajse mund të flasim me të.”

“Ai është një i mbijetuar magjepsës i një periudhe kataklizmike në histori; i lindur gjatë mbretërimit të mbretit viking Knut, ai i mbijetoi Pushtimit Norman për t’u varrosur me nder pranë një kishe të periudhës para pushtimit, pjesë e botës së re normane.”

“Më duket se trashëgimia e tij është ajo e mbijetesës, qëndrueshmërisë dhe përshtatjes, dhe shpresoj që, duke ndarë historinë e tij në këtë mënyrë, kur njerëzit të shkojnë në rikrijimin e Betejës së Hastingsit ose të vizitojnë sixhadenë e Bayeux-it sigurisht që mund të brohorasin për kë të duan por ndoshta ai mund të na ndihmojë të mos i fusim në një kallëp ata që luftuan dhe vdiqën atje, por t’i kuptojmë ata mbi të gjitha si njerëz.”