Ballina Sport Vllaznia në alarm, 4 pikë në 5 ndeshje dhe humbje e kreut....

Vllaznia në alarm, 4 pikë në 5 ndeshje dhe humbje e kreut. Rrezik në sprintin final të kuqebluve

57
0
Në një moment të sezonit kur gjithçka fliste për një Vllazni dominante dhe të gatshme për të sulmuar titullin kampion, panorama në kampin kuqeblu ka ndryshuar. Forma e ekipit në javët e fundit ka ngritur shumë pikëpyetje, teksa nga një skuadër që konsiderohej favoritja kryesore për trofeun, tashmë po shfaqet si një ekip në krizë rezultatesh dhe loje. Pikërisht në momentin më vendimtar të sezonit, Vllaznia duket se ka humbur shkëlqimin dhe sigurinë që e karakterizonte vetëm pak javë më parë. Vetëm një muaj më parë, skuadra e Martinit cilësohej gjerësisht si pretendentja më serioze për fitimin e kampionatit.

Loja bindëse, rezultatet pozitive dhe stabiliteti në grup kishin krijuar bindjen se shkodranët po marshonin të sigurt drejt “Final 4” me moralin e një kampioni. Por futbolli di të ndryshojë shumë shpejt dhe këtë po e përjeton aktualisht edhe Vllaznia, e cila ka hyrë në një periudhë të errët pikërisht në sprintin final të sezonit. Statistikat e pesë javëve të fundit janë alarmante për një skuadër me pretendime të mëdha. Kuqeblutë kanë marrë vetëm 4 pikë në 5 ndeshje, një bilanc që i ngjan më shumë një skuadre që lufton për mbijetesë sesa një ekipi elitar që synon titullin kampion. E vetmja fitore gjatë kësaj periudhe ka ardhur ndaj Teutës, me rezultatin minimal 1-0, ndërsa në ndeshjet e tjera ekipi ka lënë shumë pikë të rëndësishme rrugës. Akoma më shqetësues mbetet reparti ofensiv, që duket se ka humbur plotësisht efikasitetin.

Në pesë takimet e fundit, Vllaznia ka shënuar vetëm dy gola, një shifër tepër e ulët për një skuadër që në pjesën më të madhe të sezonit ishte ndër ekipet më produktive të kampionatit. Në anën tjetër, mbrojtja ka pësuar 6 gola, duke treguar se problemet nuk janë vetëm në sulm, por në gjithë funksionimin e skuadrës. Kjo rënie e ndjeshme e formës ka sjellë pasoja direkte edhe në renditje. Elbasani ka përfituar maksimalisht nga “rrjedhja” e pikëve të shkodranëve, duke grumbulluar 9 pikë në 5 ndeshjet e fundit dhe duke arritur të parakalojë Vllazninë në klasifikim. Një situatë që pak javë më parë dukej e paimagjinueshme, por që tashmë ka rritur presionin mbi skuadrën kuqeblu në prag të fazës më vendimtare të sezonit.

Me “Final 4” që po afron dhe me rivalët që duken më të konsoliduar psikologjikisht, Vllaznia është e detyruar të reagojë menjëherë. Skuadra e Martinit duhet të rikthejë identitetin, besimin dhe forcën që e shoqëroi për pjesën më të madhe të kampionatit, nëse dëshiron të mbetet në garë reale për titullin. Në të kundërt, një sezon që premtonte shumë mund të përfundojë në zhgënjim të madh për tifozët shkodranë, ndërsa ëndrra për titullin kampion rrezikon të kthehet në një mision pothuajse të pamundur. PANIKU – Para fazës finale të kampionatit, një ndjenjë paniku duket se ka përfshirë Vllazninë. Kuqeblutë, që vetëm pak javë më parë dukeshin të qetë dhe të sigurt në rrugën drejt titullit, tani rrezikojnë të hedhin gjithçka në erë pikërisht në momentin më të rëndësishëm të sezonit. Luhatjet e fundit në rezultate dhe lojë kanë krijuar një atmosferë tensioni, ku optimizmi dhe besimi i mëparshëm duket se janë zhdukur, duke lënë vend për frikën dhe pasigurinë brenda grupit.

Megjithatë, në deklarata publike, Vllaznia përpiqet të ruajë një profil të lartë. Futbollistët dhe stafi teknik flasin me siguri, duke insistuar se skuadra mbetet pretendent serioz për titull, dhe se çdo gjë është ende e hapur. Por pas fjalëve të kontrolluara, ajo që shihet në fushë dhe në stërvitje është një skuadër që nuk gjen dot ritmin e saj normal, e cila duket e hutuar dhe e lodhur nga presioni i rezultateve negative. Situata kërkon patjetër një reagim të menjëhershëm. Edi Martini dhe stafi i tij janë duke bërë gjithçka për të mbajtur futbollistët të karikuar dhe të motivuar, duke punuar mbi aspektet psikologjike po aq sa mbi taktikat në fushë. Por nuk është e lehtë: përballë kanë një ekip të kapur nga dyshimet e veta dhe presionin që vjen nga pritshmëritë e larta të tifozëve dhe media. Çfarë shqetëson më shumë është fakti se Vllaznia nuk mund të humbasë më kohë.

Çdo pikë e humbur në pesë ndeshjet e fundit ka rënduar presionin dhe ka kthyer një sezon që mund të ishte dominues në një situatë tepër delikate. Një gabim i vetëm në këtë fazë mund të kushtojë shumë, dhe kjo e bën reagimin e menjëhershëm të ekipit më se të domosdoshëm. Pavarësisht kësaj situate të tensionuar, skuadra e Martinit mbetet në garë për titullin. Luhatjet e fundit nuk kanë shuar shpresën, por kanë vendosur një barrë psikologjike të madhe mbi të gjithë. Çdo ndeshje është bërë një test i durimit dhe i karakterit, dhe mënyra se si kuqeblutë do të reagojnë do të përcaktojë jo vetëm fatin e sezonit, por edhe mentalitetin që do të mbajnë dhe shfaqin në pikën më të “zjarrtë” të sezonit.

Në këtë klimë paniku, çdo element i skuadrës ka rëndësi: nga liderët në fushë, te stafi teknik, e deri tek moralit i grupit. Vetëm një reagim i fuqishëm dhe një rikthim i besimit të humbur mund ta shpëtojë Vllazninë nga një mision që tani po duket gjithnjë e më i vështirë. Në fund, është test i vërtetë për karakterin e ekipit dhe për aftësinë e tij për të përballuar presionin më të madh të sezonit./bw