Ballina Sport Real Madrid “shkatërron” Malagën në Bernabeu, spektakël me 4 gola! Bellingham dhe...

Real Madrid “shkatërron” Malagën në Bernabeu, spektakël me 4 gola! Bellingham dhe Mbappe ndezin mbrëmjen

60
0

Real Madrid ka dhuruar një tjetër spektakël në “Santiago Bernabéu”, duke mposhtur bindshëm Malagën dhe duke treguar se po hyn në ritëm në këtë fillim sezoni. Skuadra e Jose Mourinhos fitoi me një rezultat të pastër dhe shfaqi një futboll ofensiv që ndezi tifozët madrilenë.

Ndeshja nisi me një ritëm të lartë, megjithëse Realit iu desh pak kohë për të gjetur hapësirat përballë një Malagaje që nuk u fut në fushë vetëm për t’u mbrojtur.

Por kur “Los Blancos” gjetën golin, gjithçka ndryshoi.

Ishte Jude Bellingham ai që mori përsipër të zhbllokonte sfidën. Anglezi u nis në një aksion individual, kaloi disa kundërshtarë dhe, pasi nuk gjeti pasimin final, vendosi ta mbyllte vetë aksionin me një goditje të saktë.

Goli i dha Real Madridit qetësinë e nevojshme dhe i hapi rrugën një dominimi të plotë.

Bellingham ishte sërish protagonist pak më vonë, duke realizuar edhe golin e dytë. Pas një aksioni të nisur nga Kylian Mbappé, portieri Herrero nuk arriti ta kontrollonte goditjen, ndërsa anglezi përfitoi dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Dy gola për Bellingham, i cili duket se po rikthehet te versioni i tij më dominues.

Real Madrid nuk u mjaftua me avantazhin dhe vazhdoi të sulmonte.

Në skenë doli sërish Kylian Mbappé, i cili realizoi një gol spektakolar pas një topi të saktë të Trent Alexander-Arnold. Francezi e goditi topin në vole dhe nuk i la asnjë mundësi portierit të Malagës.

3-0 dhe ndeshja praktikisht u mbyll që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, vendasit vazhduan të kontrollonin gjithçka dhe Bellingham ishte pranë tripletës, por goditja e tij përfundoi në shtyllë.

Jose Mourinho nisi më pas të menaxhonte minutat dhe i dha hapësirë edhe Diomandes, një prej afrimeve të reja që tifozët madrilenë mezi presin ta shohin në aksion.

Málaga provoi të reagonte dhe pati disa momente për të shënuar, por nuk arriti të ndryshonte fatin e ndeshjes.

Në fund, ishte Arda Güler ai që vendosi firmën përfundimtare mbi spektaklin madrilen.

Turku përfitoi nga një asist i Vinicius Junior dhe realizoi golin që vulosi fitoren e Real Madridit.