Ballina Europë Tronditëse/ 16-vjeçari vret nënën, telefonon policinë dhe pranon krimin: E qëllova, ka...

Tronditëse/ 16-vjeçari vret nënën, telefonon policinë dhe pranon krimin: E qëllova, ka vdekur

90
0

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, ku një 16-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën e tij brenda banesës së tyre në zonën Alessandrino. Pas ngjarjes, i mituri ka telefonuar numrin e emergjencës 112 dhe ka rrëfyer se e kishte goditur nënën e tij.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, në një apartament në katin e parë të një pallati në rrugën Via del Grano, në pjesën lindore të kryeqytetit italian. Fillimisht, ngjarja ishte raportuar në zonën Centocelle, por më pas autoritetet saktësuan se bëhej fjalë për lagjen Alessandrino.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, mes 16-vjeçarit dhe nënës së tij, G.A., 49 vjeçe, kishte nisur një konflikt brenda banesës. Situata dyshohet se është përshkallëzuar në një sulm fizik, gjatë të cilit i mituri e ka goditur nënën me duar.

Gjatë përleshjes, 49-vjeçarja ka rënë në tokë. Ende nuk është e qartë nëse ajo ka pësuar dëmtime të rënda në kokë nga rrëzimi apo nëse është goditur më pas me ndonjë objekt. Pikërisht për këtë arsye, hetuesit po presin rezultatet e autopsisë, e cila do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe dinamikën e ngjarjes.

Në momentin kur kanë mbërritur në banesë, ekipet e emergjencës dhe efektivët e policisë e kanë gjetur gruan ende gjallë. Ajo është marrë me urgjencë nga ambulanca dhe është transportuar në Poliklinikën Tor Vergata, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ka ndërruar jetë disa orë më vonë për shkak të plagëve të rënda.

Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur efektivë të policisë dhe specialistë të hetimit kriminal, të cilët kanë kryer për orë të tëra këqyrjen e apartamentit. Ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar dhe dokumentuar objekte të ndryshme që mund të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrës se si ka ndodhur sulmi.

16-vjeçari është ndaluar nga autoritetet pas mbërritjes së policisë. Fillimisht ai është mbajtur nën vëzhgim jashtë ndërtesës, ndërsa më pas është dërguar për trajtim dhe vëzhgim në Poliklinikën Umberto I në Romë, në repartin e psikiatrisë.