Ballina Ekonomia Rregulla të reja për interkonjeksionet e energjisë, projektet mund të financohen me...

Rregulla të reja për interkonjeksionet e energjisë, projektet mund të financohen me grante dhe garanci të BE-së

68
0

Projektet energjetike rajonale dhe transevropiane që përfshijnë Shqipërinë do të marrin statusin e çështjeve me rëndësi kombëtare, ndërsa procesi i dhënies së lejeve do të ketë një kohëzgjatje të kombinuar deri në 42 muaj.

Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu mundësi financimi nga Bashkimi Evropian dhe mekanizma për të ndërhyrë në projektet që ngecin për më shumë se dy vjet.

Kuadri i ri është miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 650, datë 27 gusht 2026, të botuar në Fletoren Zyrtare. Ai zbatohet për projektet me interes për Komunitetin e Energjisë, të njohura si PECI, dhe projektet me interes të ndërsjellë, PMI.

Vendimi thekson se projektet që futen në listën e Komunitetit të Energjisë do të trajtohen si çështje me rëndësi kombëtare gjatë lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, përfshirë procedurat e vlerësimit mjedisor. Edhe proceset gjyqësore, ankimet dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me këto projekte do të trajtohen si urgjente.

Procesi i lejeve ndahet në dy faza. Procedura para aplikimit parashikohet të zhvillohet brenda një periudhe indikative prej 24 muajsh, ndërsa procedura ligjore nga pranimi i dosjes deri te vendimi përfundimtar nuk duhet të kalojë 18 muaj. Në total, të dyja fazat nuk duhet të tejkalojnë 42 muaj. Afati mund të zgjatet rast pas rasti me jo më shumë se 9 muaj, përveç rrethanave të jashtëzakonshme.

Rregullat synojnë edhe të shmangin bllokimin e projekteve pasi janë miratuar. Nëse vënia në punë vonohet për arsye që nuk janë jashtë kontrollit të promovuesit dhe investimi nuk mund të sigurohet përmes masave rregullatore, promovuesi duhet që brenda 24 muajve nga data e parashikuar e komisionimit të zgjedhë një palë të tretë për financimin ose ndërtimin e të gjithë ose një pjese të projektit. Nëse kjo nuk ndodh, ministria ose ERE mund të caktojë një palë të tretë, ndërsa kur vonesa kalon 26 muaj, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mund të nisë një thirrje për propozime.

Projektet që marrin statusin PECI mund të kualifikohen edhe për ndihmë teknike dhe financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë financim nga IPA dhe NDICI, si edhe përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Mbështetja mund të jepet në formën e granteve, garancive ose instrumenteve të tjera financiare, me kusht që projekti të provojë përfitime të konsiderueshme, të ketë zgjidhur ndarjen ndërkufitare të kostove dhe të mos mund të financohet nga tregu ose kuadri rregullator.

Për projektet ndërkufitare, rregullatorët kanë 6 muaj për të vendosur si do të ndahen kostot e investimit ndërmjet operatorëve dhe si do të reflektohen ato në tarifa. Nëse ERE dhe rregullatorët e vendeve të tjera nuk arrijnë marrëveshje brenda këtij afati, çështja kalon te Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë, i cili duhet të vendosë brenda 3 muajve, me mundësi zgjatjeje edhe 2 muaj kur kërkohet informacion shtesë.

Lista e projekteve PECI dhe PMI do të përcaktohet çdo dy vjet. Projektet e përzgjedhura duhet të integrohen në planet rajonale të investimeve dhe në planet kombëtare dhjetëvjeçare të zhvillimit të rrjetit, ku projektet PECI do të marrin prioritetin më të lartë të mundshëm.

Vendimi përfshin edhe tranzicionin drejt hidrogjenit. Deri më 31 dhjetor 2029, infrastruktura e gazit natyror e konvertuar për hidrogjen mund të përdoret për transportin ose depozitimin e një përzierjeje të hidrogjenit me gaz natyror ose biometan, por kualifikimi i këtyre projekteve për ndihmë financiare nga BE-ja përfundon më 31 dhjetor 2027. /ekofin.al