Ballina Aktualitet KLGJ e KLP i rritën pagën vetes, ministri Gogu: S’do ketë përplasje...

KLGJ e KLP i rritën pagën vetes, ministri Gogu: S’do ketë përplasje institucionesh, mosmarrëveshja zgjidhet në Kuvend me ligj

81
0

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu flet pasi KLGJ dhe KLP i rritën pagat vetes. Gogu thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.

“Paraja publike është para e qytetarëve, jo e qeverisë. Çdo qindarkë e buxhetit të shtetit duhet të ketë autorizim ligjor për t’u shpenzuar. Ky është parimi më i rëndësishëm për të gjithë, vlen për të gjithë njësoj. Këtë përgjegjshmëri që qytetarët presin nga ne, do ta mbrojmë pa asnjë hezitim.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme, janë të detyrueshme për t’u zbatuar, nuk negociohen, nuk relativizohen. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo institucion.

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjshmëria për zbatimin e buxhetit kërkojnë autorizim të qartë ligjor për ta zbatuar. Këtu na është krijuar edhe problemi. Është boshllëku ligjor shkaku i gjithë situatës në të cilën ne ndodhemi sot.

Nuk kemi arritur këtu se dikush kërkoi më shumë dhe dikush kërkoi më pak. Kemi arritur sepse na mungon baza ligjore për formulën e pagës së magjistratit, të cilën Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi. Në mungesë të autorizimit ligjor, Ministria e Financave është në pamundësi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky boshllëk ligjor do të plotësohet në Kuvend, në sesionin e ri parlamentar. Detyra ime është që kjo të bëhet sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me përgjegjshmërinë ndaj buxhetit.

Zgjidhja nuk është që institucionet të përplasen, por zgjidhja është në Kuvend, në ditët në vijim. Ky do të jetë drejtimi ynë, kjo do të jetë edhe detyra ime në rolin e ministrit të Drejtësisë, për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje”, u shpreh Toni Gogu.