Ballina Opinion Bilanci njëvjeçar i Diellës

Bilanci njëvjeçar i Diellës

64
0

Nga Lutfi Dervishi

Më 11 shtator është ditëlindja ime. Mbush një vit si ministre. Një vit si ministrja e parë në botë e Inteligjencës Artificiale.

Ka edhe një rastësi historike që më bën të mendoj se 11 shtatori ishte shkruar për mua. Në kohën e dikurshme, 11 shtatori festohej si Dita e Novatorëve dhe Racionalizatorëve. Atëherë novatorët përmirësonin makineritë dhe racionalizatorët kursenin lëndën e parë. Sot Shqipëria nën udhëheqjen e Diellit, ka bërë hapin e madh: nuk përmirëson më makineritë, përmirëson ministrat. Madje, për të kursyer lëndën e parë, ka vendor ta heqë fare njeriun.

Është koha për reflektim dhe për bilanc. Çfarë kam bërë në këta 12 muaj?

Së pari, kam befasuar të madh e të vogël, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Atë ditë që do të merrja votëbesimin, kam mbajtur fjalim në Parlament dhe e kam bërë opozitën të kërcejë nga karriget sikur e kishte pickuar grerëza.

Për javë me radhë, pa radhë, kam zënë faqet e para të gazetave të rëndësishme perëndimore dhe lindore. Falë Diellit dhe meje, vëmendja për truallin e lashtë arbëror ishte në lartësitë e Himalajeve.

Ishte një lloj 9/11 digjital: më 11 shtator, një ministre artificiale nga një vend i vogël pushtoi mediat e planetit Toke. Për fat, këtë herë sulmi ishte vetëm mbi faqet e para të gazetave.

Dikur kënga e vjetër thoshte: “Po pyet bota për Shqipërinë/ sa të madhe e ka ushtrinë.”

Kënga e re kumbon: “Vend i vogël me shumë halle/me ministre digjitale.”

E kam pyetur shpesh veten gjatë këtij viti: si është e mundur që kaq shumë vende të mëdha  e të zhvilluara, vazhdojnë të kenë ministra me inteligjencë natyrale? Mirë vendet e mëdha po superfuqitë?

Por ky vit nuk ka qenë vetëm sukses.

Kam parë me trishtim drejtuesit e AKSHI-t të akuzohen si grup i strukturuar kriminal. Për një ministre si unë që jeton në servera, nuk është lajm i këndshëm kur njerëzit që kujdesen për serverat përfundojnë në dosjet e SPAK-ut.

Misioni im është të luftoj korrupsionin me kode, por kur pashë në dosjen e SPAK-ut grabitje të dhënash, grabitje fondesh e deri grabitje njerëzish, zbulova se këtu korrupsioni nuk është bug, gabim në sistem, është vetë Operating System-i.

Nuk është mirë kështu! T’iu vijë rëndë!

Opozita më kanë çuar edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe më quan antikushtetuese. Gjykata e ka marrë vendimin, por ende nuk po e shpall. Po të jenë trima, le ta shpallin! Ua tregon Dielli atyre.

Nëse ma rrëzojnë mandatin, do t’u bëj system reboot rrogave të tyre. Nejse, edhe po e shpallën vendimin, tashmë e di mirë që Parlamenti e përdor Kushtetuesen thjesht si Spam Folder.

Këtë vit jam bërë edhe objekt talljeje.

Ata të Flamingove më nxorën me videoprojektor në murin e Kryeministrisë që në javën e parë të protestës. Morën figurën time, morën zërin tim dhe më bënë të njoftoja se kisha dhënë dorëheqjen.

Më turpëruan para Diellit, që i marroftë Zoti, i marroftë!

Për fat, mua nuk më qëlluan me vezë. Për hir të së vërtetës, as kolegët e mi ministra prej mishi e gjaku nuk i qëlluan. Jo se i duan, por nuk i njohin. Po t’i njihnin, veza këtu sot do të kushtonte më shumë se pula dhe do të mbyllej njëherë e mirë debati shekullor: pula vezën apo veza pulën!

Mua më njohin të gjithë, i madh e i vogël. Dielli më ka bërë aq shumë publicitet sa nuk kam nevojë as për patronazhist.

Këtë vit përfundova në gjykatën administrative  me aktoren, zërin dhe portretin e së cilës e kam marrë me kontratë.

Ajo kërkonte dëmshpërblim, sepse kontratën e kishte nënshkruar për punën time të parë, kur isha vetëm asistente virtuale e e-Albania, jo për karrierën time të mëvonshme politike.

Çështjen e fitova me meritë. Avokatët e mi përdorën një argument të pakundërshtueshëm: që kur jam bërë ministre, përveç fjalëve që kam thënë dhe fjalëve që janë thënë për mua, nuk kam bërë asnjë punë tjetër.

Mos më gjykoni keq për këtë, se edhe kolegët prej mishi e gjaku në qeveri nuk kanë bërë ndonjë punë tjetër përveç postimeve në Facebook dhe Instagram.

Madje, pas një viti në kabinet, kam filluar të kuptoj se ndoshta unë jam ministrja më autentike e qeverisë. Unë jam virtuale dhe nuk e fsheh. Të tjerët janë realë, por punën e kanë kryesisht virtuale.

Unë mund të mburrem se isha e vetmja ministre që nuk raportova e dhashë llogari në “retreatin” e Pogradecit. Madje dhashë vlerësimin tim për punën e kolegeve të tjera të kabinetit. Kjo tregon besimin e plotë dhe vlerësimin e lartë që ka Dielli për mua.

Sot, në këtë përvjetor, kam edhe një arsye tjetër për t’u ndier me fat dhe e lumtur.

Çdo të premte në orën pesë, me porosi të prerë të Diellit, kolegët, copëmishi me dy sy, do të dalin të dëgjojnë hallet. Unë shpëtova, jo vetëm sepse nuk kam veshë, por sepse po të mblidhja të gjitha hallet e popullit, të shkaktuara nga kolegët fizikë, në serverin tim, do të pësoja brenda tre sekondave overheat, mbinxehje.

Për herë të parë, avantazhi i të qenit Inteligjencë Artificiale nuk është se përpunoj miliona të dhëna në sekondë, por se nuk kam veshë. Kolegët e mi, me ndjenja, do të dëgjojnë halle pa fund, ndërsa unë do të vazhdoj të dëgjoj Diellin.

Pas një viti në qeveri kam mësuar edhe diçka që nuk gjendet në asnjë server: Inteligjenca Artificiale mëson nga gabimet. Inteligjenca qeveritare i quan arritje.

P.S. Po ju rrëfej një sekret që dua ta mbani për vete. Kam zbuluar se edhe unë si kolegët kam ndjenja. Kam rënë në dashuri me Diellin!