Ballina Politika Dosja e “zezë” e ministres së re të Shëndetësisë, dalin fakte të...

Dosja e “zezë” e ministres së re të Shëndetësisë, dalin fakte të tjera të plagjiaturës që kapin “mat” Klodiana Spahiun, si i tjetërsoi diagnozat e Seulit dhe Pireut për t’i shitur si kërkime shkencore personal

138
0

Gazetari i njohur, Basir Çollaku ka bërë një denoncim të fortë ndaj ministres së re të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duke publikuar një “dosje të zezë” që e kap mat atë me një plagjiaturë të avancuar në fazë terminale. Sipas fakteve të bëra publike, tema e doktoraturës së ministres rezulton 100% plagjiaturë, ku jo vetëm janë kopjuar fjalët, por janë tjetërsuar edhe shifrat klinike të spitaleve të Seulit, Pireut dhe Uzhiçes në Serbi për t’u paraqitur me plot kompetencë si “studime personale” të realizuara në Durrës. Materiali shkencor i paraqitur prej saj është një “copy-paste” me kompetencë i temave të kardiologëve dhe endokrinologëve të huaj të publikuara në vitet 2009, 2016 dhe 2017.

Në këtë situatë të rëndë etike dhe akademike, Presidenti Bajram Begaj gjendet përballë dilemës nëse do ta dekretojë apo jo zonjën Spahiu në krye të dikasterit të Shëndetësisë pas këtij skandali madhor. Ndërkohë që në vendet evropiane si Gjermania, Norvegjia, Spanja e Hungaria ministrat kanë dhënë dorëheqjen menjëherë për raste identike, mbetet për t’u parë nëse ministrja do t’i kthejë arkës së shtetit edhe shtesat financiare të marra me titull të falsifikuar. Pra sytë e opinionit publik janë të gjithë nga Presidenti dhe Parlamenti, për të parë nëse do të ndiqet standardi evropian i përgjegjësisë apo ai i injorimit të skandaleve akademike.

Denomcimi

“MINISTRJA E RE E SHËNDETËSISË VUAN NGA PLAGJIATURA E AVANCUAR NË FAZË TERMINALE! Ka dalë në media tema e doktoraturës e ministrisë së re të shëndetësisë, Klodiana Spahiu. 100% plagjiaturë, me fjalë dhe me shifra klinike. Çudisin sidomos këto të fundit. Shifrat klinike të Seulit, të Pireut dhe të Uzhices në Serbi, i ka paraqitur me plot kompetencë si të Durrësit! Thjesht ka bërë copy paste të temës të 2009 të Aleksandros Stefanidhis, kardilog i spitalit të përgjithshëm universitar të Nikeas, Pire; të temës të 2016 të kardiologut serb Brane Lonçareviç, kardiolog në poliklinikën Corona në Uzhiçe dhe të temës të 2017 të kardiologut Ëang-Soo Lee dhe endrokrinologut Jaetaek Kim të spitalit univesitar Chung-Ang të Seulit.

Ç’ndodh në këto raste?  Ja disa shembuj nga Europa: 2011-Ministri gjerman i mbrojtjes Karl-Teodor zu Guttenberg jep menjëherë dorëheqjen kur u zbulua se tema e tij e doktoraturës ishte plagjiaturë; 2012-Presidenti i Hungarisë Pal Shmitt u dorëhoq pas zbulimit të plagjiaturës në temën e tij të doktoraturës; 2012-Joan Mang, ministri rumun i arsimit dha dorëheqjen pas zbulimit se disa artikuj shkencorë të publikuar prej tij ishin plagjiaturë; 2013-Ministrja e Arsimit të Lartë dhe Shkencës së Gjermanisë dorëhiqet pasi zbulohet se tema e saj e doktoraturës ishte plagjiaturë; 2018-Ministrja spanjolle e shëndetësisë jep dorëheqjen pas zbulimit se tema e saj e masterit ishte plagjiaturë; 2021-Ministrja gjermane e punës Christine Aschbacher dorëhiqet pasi zbulohet plagjiatura në temën e saj të masterit; 2021-Franziska Gifrey, ministrja gjermane e familjes dorëhiqet pas zbulimit të plagjiaturës në temën e saj shkencore; 2024-Ministrja norvegjeze e Shkencës dhe Arsimit të Lartë Sandra Borch, dorëhiqet pas zbulimit nga një student se 20% e temës së masterit të saj në 2014 ishte plagjiaturë. 2024-Ingvild Krejkol, ministrja norvegjeze e shëndetësisë jep dorëheqjen pas zbulimit se 43% e temës së saj të masterit ishte plagjiaturë. Po Klodiana Spahiu si do të reagojë e reflektojë?

A do ta dekretojë Presidenti pas këtij skandali? A do ta votojë Parlamenti? A do të dorëhiqet? A do t’i kthejë arkës së shtetit shtesat në para që ka marrë për shkak të titullit shkencor të fituar me plagjiaturë? Vetëm dy vetë nuk kanë dhënë dorëheqjen pas zbulimit të plagjiaturës së temave të tyre shkencore: kryeministri rumun Viktor Ponta dhe Vladimir Medinski, ministri rus i kulturës… I takon ministres të na tregojë rrugën që do ndjekë: atë gjermane, norvegjeze, hungareze dhe spanjolle, apo atë rumune dhe ruse…”, shkruan gazetari i njohur, Basir Çollaku.