Ballina Kronika Shoferja humb kontrollin e mjetit dhe përplaset me makinën nga korsia e...

Shoferja humb kontrollin e mjetit dhe përplaset me makinën nga korsia e kundërt, plagosen dy vajza

74
0

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin rrugor Pogradec–Korçë, në segmentin e Qafë Plloçës, ku dy mjete janë përplasur me njëri-tjetrin duke lënë pas dy persona të lënduar.

Paraprakisht bëhet me dije se mjetet po udhëtonin në drejtime të kundërta kur njëra prej drejtuesve ka humbur drejtimin e mjetit duke bërë që makinat e tyre të përplasen së bashku. Për rrjedhojë, nga aksidenti kanë mbetur të plagosura të dyja shoferet e mjeteve, të cilat janë nisur menjëherë për të marrë mjekimin e nevojshëm në spitalin e Pogradecit. Fatmirësisht thuhet se ato janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhen edhe forcat e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. Sakaq, referuar pamjeve nga vendngjarja mësohet se aksidenti i dyfishtë ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale për të dyja makinat, pjesët e parme të të cilave janë shkatërruar tërësisht.

Ky është aksidenti i tretë i ndodhur brenda pak orëve për ditën e sotme në vend, pasi dy aksidente të tjera u regjistruan në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne. Aksidenti i parë u regjistrua në autostradën Durrës-Tiranë rreth orës 5 të mëngjesit, nga i cili humbi jetën 45-vjeçari i identifikuar si Hysen Balla dhe janë plagosur shtatë persona.

Ndërsa aksidenti i dytë u regjistrua rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm në autostradën Levan-Tepelenë, ku humbi jetën në vendngjarje 55-vjeçari Dashamir Beca dhe u plagosën tre familjarët e tij dhe drejtuesi i mjetit tjetër, Gesti Muskaj.