Ermelinda Meksi, ish-ministre e Partisë Socialiste dhe eksperte e ekonomisë, ka reaguar mbi rolin e intelektualëve në debatin publik, lidhur me protestat për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te pyetja që, sipas saj, u drejtohet shpesh të ftuarve në intervista: “Pse nuk flasin intelektualët?”.
Meksi shprehet se “të flasësh në hapësirën publike kërkon kurajë intelektuale dhe integritet moral”, ndërsa shton se nuk ka hezituar asnjëherë të shprehë publikisht atë që ka besuar se i shërben opinionit publik dhe vendimmarrjes.
Sipas saj, problemi nuk është vetëm nëse intelektualët flasin apo jo, por edhe fakti se “sa dëgjohet zëri i tyre dhe sa peshë i jepet mendimit të argumentuar në debatin publik”, duke theksuar se “një shoqëri demokratike ka nevojë jo vetëm për zëra që flasin, por edhe për një kulturë që i dëgjon dhe i vlerëson ata.”
Pse nuk flasin intelektualët?
Kesaj pyetje që moderatori ua drejton shpesh të ftuarve gjatë intervistave, do t’i përgjigjesha : “Të flasësh në hapësirën publike kërkon kurajë intelektuale dhe integritet moral. Këtë e shoh edhe tek mjaft kolegë të mi të Universitetit, të cilët kanë zgjedhur të shprehen publikisht.
Personalisht, nuk kam hezituar asnjëherë të them, me përgjegjësi, atë që kam besuar se i shërben opinionit publik dhe vendimmarrjes. Këtë e kam bërë si në kohën kur isha pjesë e politikës aktive, ashtu edhe gjatë 15 viteve të fundit, kur nuk kam qenë pjesë e saj, ndonëse jo të gjithë e dinë këtë.
Por besoj se pyetja nuk është vetëm pse flasin ose nuk flasin intelektualët. Po aq e rëndësishme është të pyesim: sa dëgjohet zëri i tyre dhe sa peshë i jepet mendimit të argumentuar në debatin publik?
Një shoqëri demokratike ka nevojë jo vetëm për zëra që flasin, por edhe për një kulturë që i dëgjon dhe i vlerëson ata.”







