Ballina Ekonomia ERE nuk licenson ‘Tigrat e Belës’: Sillni lejet mjedisore – Bordi vendosi...

ERE nuk licenson ‘Tigrat e Belës’: Sillni lejet mjedisore – Bordi vendosi pezullimin e procedurës

73
0

Enti Rregullator i Energjisë pezullon procedurat për licensimin e dy termocentraleve lundrues, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, derisa autoritetet mjedisore të paraqesin dokumentacionin e rinovuar mbi ndikimin e tyre në ambjent. Vendimi është marrë të Premten e kaluar, në 3 shtator 2026, duke ngritur pikëpyetje të rëndësishme mbi eficensën e TEC-eve lundrues, të ankoruar në Gjirin e Vlorës. Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, KESH, agjencia që ka marrë me qira dy anijet termocentralë, dorëzoi kërkesën për licensimin e tyre për prodhimin e energjisë elektrike në korrik të këtij viti.

Enti Rregullator i Energjisë hapi shqyrtimin e procedurës, duke kërkuar, ndër të tjera, që të konfirmoheshin lejet e mëparshme mjedisore, të nënshkruara në vitin 2023 nga ish-ministrja e linjës, Mirela Kumbaro, aktualisht Ministre e Arsimit. Bordi i ERE-s caktoi afat një-mujor për plotësimin e dokumentacionit. Në 3 shtator 2026, Enti Rregullator i Energjisë e rimori sërish në shqyrtim kërkesën e KESH-it, por u konstatua se ende nuk kishte në dispozicion të gjithë shkresat e nevojshme.

Në një njoftim zyrtar, Enti i Energjisë thotë se “Vendosi pezullimin e procedurës administrative të shqyrtimit të kërkesës së shoqërise KESH sh.a. për licencimin në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga TEC-et lundruese “Tigri 1”, me kapacitet 50 MW, dhe “Tigri 3”, me kapacitet 60 MW, në Portin e Triportit, Gjiri i Vlorës”. Sipas këtij institucioni, “Pezullimi do të vijojë deri në sqarimin nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit të vlefshmërisë së lejeve mjedisore për operimin e këtyre TEC-eve, pas të cilit procedura administrative do të rifillojë”.Në fillim të vitit 2022, Qeveria e Edi Ramës autorizoi Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare që të nënshkruante marrëveshje me kompanitë e huaja “Exelerato” dhe “Renco” për të marrë me qira dy termocentralet lundruese nga Bangladeshi.

Marrëveshja u realizua me bekimin e ish zëvendëskryeministres, Belinda Balluku dhe ambasadores amerikane të kohës, Yuri Kim. Në më shumë se 4 vite, qeveria ka paguar për dy “Tigrat” miliona euro për qira, si edhe për mirëmbajtjen e furnizimin e tyre me energji elektrike. Opozita dhe ekspertët mjedisorë e kanë konsideruar marrëveshjen një aferë të rëndë korruptive dhe me efekte shkatërruese mjedisore. KESH-i ka pranuar zyrtarisht se “Tigrat” janë tërësisht jo-eficent, pasi në vitet 2024 dhe 2025 ato kanë siguruar vetëm 1 për qind të prodhimit vendas të energjisë elektrike.