Qytetarët shqiptarë kanë paguar 70 milionë euro taksa për të rivlerësuar pasuritë e tyre të patundshme nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, në muajin mars, deri më tani. Shifrat janë bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas administratës tatimore, pronat e rivlerësuara deri më tani, me tatimin e zbutur 5 për qind, u kanë kursyer qytetarëve 140 milionë euro taksa nëse ato do të rivlerësoheshin me shkallën standard të tatimit prej 15 për qind.
Rivlerësimi i pronave është një proces, i cili ndihmon qytetarët të ngushtojnë bazën e tatueshme të këtyre pronave në rast shitje. Nëse një apartament është blerë 10 vite me parë me vlerën 50 mijë euro, sot vlera reale e tij është shumë më e lartë, të themi 150 mijë euro.
Nëse kjo pronë nuk rivlerësohet, qytetari në rast shitje do të paguante si tatim mbi fitimin kapital 15 për qind të diferencës mes cmimit të shitjes 150 mijë euro me atë të blerjes, që në këtë rast ishte 50 mijë euro. Pra baza e taksueshme do të ishte 100 mijë euro, ndërsa tatimi që duhet të derdhej në shtet është 15 mijë euro.
Por përmes rivlerësimin i njëjti qytetar ta rrisë vlerën fiskale të pronës me taksë të zbutur 5 për qind. Udhëzimi për zbatimin e ligjit, i botuar në Fletoren Zyrtare në shkurt 2026, përcakton dy alternativa për individët. E para është rivlerësimi përmes Kadastrës, duke përdorur çmimet zyrtare të referencës. Alternativa e dytë është rivlerësimi nga një ekspert i licencuar, i cili përcakton vlerën mbi bazën e çmimeve reale të tregut.
Pra nëse i njëjti qytetar do të kontraktonte një ekspert vlerësues dhe do ta rivlerësonte pronën e tij në 150 mijë euro, ai do të paguante vetëm 5 mijë euro taksë për rivlerësimin, ndërsa në shitje nuk do të paguante asgjë, pasi diferenca mes cmimit të shitjes dhe atij fiskal të rivlerësuar do të ishte zero.
Por rivlerësimi ka një kurth. Për ata që nuk kanë në plan ta shesin pronën e tyre, ai nuk është një ide e mirë, pasi rrit bazën e taksueshme për taksat vjetore të pasurisë. Pra, sa më e lartë vlera e pronës, aq më shumë taksa vjetore paguhen për të, pasi taksa e pasurisë është sa 0.05 për qind e vlerës së pronës.







