Politikani i lartë socialist dhe ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka ardhur me intervistën e pestë nga arratia. Përballë gazetarit “Çim Peka”, Ahmetaj ka “hapur zemrën” duke folur me dhimbje për vështirësitë që familja e tij është duke kaluar si pasojë e kësaj përndjekje politike që atij po i bëhet prej më shumë se dy vitesh tanimë.
Ahmetaj tha se sot do të duhej të ishte prej 38 muajsh në paraburgim, duke akuzuar drejtpërdrejt kreun e qeverisë dhe ish-aleatin e tij politik, Edi Ramën, të cilit iu referua si “kreu i organizatës” dhe “koka e narkoshtetit”. Ai u shpreh se familja e tij është shpërbërë, fëmijët janë traumatizuar, ndërsa pronat i janë sekuestruar, duke e cilësuar këtë situatë si një brutalitet që sipas tij ka kaluar çdo kufi.
“Unë sot e kam familjen të shpërbërë, i kam fëmijët të traumatizuar, i kam pronat e sekuestruara, vetë psikologjikisht dhe shpirtërisht jam në burg prej 38 muajsh”, tha Ahmetaj, duke shtuar se përgjegjësinë për këto vuajtje ia atribuon “kreut të organizatës”, Erion Veliajt dhe një ish-ministri, emrin e të cilit tha se do ta bëjë publik në një moment tjetër.
“Unë nuk e di nëse PS do të shpëtojë nga ai (referuar Ramës). Shqipëria do të shpëtojë”, u shpreh Ahmetaj më tej.
Pjesë nga fjala e Arben Ahmetajt:
Për qytetarët unë sot do të isha 38 muaj në paraburgim. Unë isha deputet, u shkarkova nga kreu i organizatës, por sigurisht simbolin e kaloj dhe sot pas 38 muajsh unë do të numëroja dhe familja ime ditët e burgut. Pse? Sepse deshtë kreu i organizatës. Unë i kërkoja votat për PS, për atë Parti Socialiste që akoma unë besoja, akoma nuk ishte mbërthyer nga tentakulat kanceroze të kreut të organizatës.
Sot, në Gjykatë ka dy çështje, çështja Buka dhe pseudo-inceneratorët. Pse e them pseudo? Dhe brutaliteti ndaj çështjes time dhe familjes time ka kaluar në nivel gjenocidi. Unë sot e kam familjen të shpërbërë, i kam fëmijët të traumatizuar, i kam pronat e sekuestruara, vetë psikologjikisht dhe shpirtërisht jam në burg prej 38 muajsh. Nuk janë sekret vuajtjet e familjes sime, nuk i fsheh dot më. Janë dhe do jenë në sytë e të gjithë qytetarëve dhe janë vepër e kreut të organizatës, Erion Veliajt, e një ish-ministri që do të rezervohem sot t’ia them emrin. Kam të drejtat e mia të vendos dhe unë shpresoj që para se të vijë dita që unë të jem në Shqipëri dhe të përballem me një drejtësi të çliruar dhe i lutem Zotit të më lërë gjallë që të përballem dhe me intrigantët, do të kemi takime të tjera bashkë sepse e keqja e Shqipërisë sot do betejë për të çrrënjosur.
Do kemi shumë ngjarje.
Kreu i organizatës ka rënë, është si kioskat e ’91 që nuk ka çfarë të shesë më. Sot kreu i organizatës ngjan me një kioskë që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha, ia ka dalë. Kemi dhe ne gabimet tona, por jo faj as krime. Unë kam përgjegjësi të lartë morale sepse kam punuar pa asnjë hile që ai të fitonte. Dhe PS të fitonte së bashku me të, sepse do ta them dhe më pas, ky njeri e filloi rrugëtimin në krye të qeverisë si shpresa e shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin dhe sot ia ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të PS. Unë nuk e di, është e trishtë. Nuk e di nëse PS do të shpëtojë nga ai. Shqipëria do shpëtojë.







