Ballina Politika “Ky sistem promovon vetëm njohjet dhe lidhjet, që përfaqësojnë interesat e Ramës”/...

“Ky sistem promovon vetëm njohjet dhe lidhjet, që përfaqësojnë interesat e Ramës”/ Administrimi i tenderëve dhe pronave, denoncon Tabaku: Shqipëria është kapur

40
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar atë që e cilëson si një mekanizëm të ri të sistemit të ngritur nga kryeministri Edi Rama për administrimin e tenderëve, pronave dhe aseteve publike në favor të një pakice të privilegjuar.

Tabaku deklaroon se emrat dhe sektorët ndryshojnë, por mënyra e funksionimit mbetet e njëjtë. Sipas saj, dje këtë rol e luante Ergys Agasi, ndërsa sot po shfaqet biznesmeni izraelit Ron Yeffet.

Sipas Tabakut, problemi nuk qëndron te një individ apo te një episod i izoluar, por te një sistem i tërë që kontrollon sektorët strategjikë të ekonomisë.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:

Sistemi i Edi Ramës është i tillë që nuk ka rëndësi sektori dhe as emri, pasi dje ishte Ergysi, sot është Roni dhe nesër do të jetë dikush tjetër. Rëndësi ka fakti se sot gjithçka është kthyer në një shtet privat.

Kjo ka ndodhur në sektorin e teknologjisë së informacionit, nëpërmjet AKSHI-t; po ndodh në sektorin e mbrojtjes dhe nesër mund të ndodhë në shëndetësi, duke rrezikuar edhe jetën e shqiptarëve.

Secili prej këtyre sektorëve ka një koordinator që ndan asetet publike, merr tenderët dhe, në rastin e mbrojtjes, merr prona publike dhe private, si në rastin e familjes Dervishi. Nesër ata mund të marrin në dorë edhe jetën e shqiptarëve.

Sistemi i Ramës nuk njeh meritokracinë, aftësitë sipërmarrëse apo CV-në. Ky sistem promovon vetëm njohjet dhe lidhjet, ndërsa të krijon mundësi vetëm nëse përfaqëson interesat e Ramës.

Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë, sepse i ka kapur prej fyti shqiptarët. Prandaj tenderët e AKSHI-t i vendoste Ergysi nga zyra e tij, tenderët e ministrisë i vendos Roni nga zyra e tij, ndërsa tenderët e shëndetësisë nesër do t’i vendosë dikush tjetër nga zyra e vet, duke cenuar kështu edhe sigurinë kombëtare.

Kjo është arsyeja përse vuajnë shqiptarët: kemi një ekonomi të një pakice të privilegjuar, rregullat e së cilës shkruhen në zyrat e biznesmenëve. Shteti i kapur është kthyer në pengesë për procesin e integrimit europian.

Gjithçka që po shohim nuk lidhet me një rast episodik. Është një sistem që ka kapur Shqipërinë dhe që mund të rrëzohet vetëm duke rrëzuar kokën e këtij sistemi.