Ballina Politika Protestat masive në vend, Edi Rama ‘nuk është i qartë’: Nuk e...

Protestat masive në vend, Edi Rama ‘nuk është i qartë’: Nuk e prisja, nuk e kuptova menjëherë, m’u desh të filloj të ndjek shenjat

86
0

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën dhe reagimet ndaj qeverisë, ku kërkohet dorëheqja e tij, duke e lidhur pakënaqësinë e qytetarëve me rritjen e pritshmërive në shoqërinë shqiptare.

Rama tha se Shqipëria ka kaluar nga një periudhë kur votat fitoheshin me premtime dhe ndërhyrje minimale në komunitete, në një fazë ku qytetarët kërkojnë më shumë nga qeverisja.

“Ka qenë një kohë në Shqipëri ku fitoheshin vota me çakull, pra çoheshin kamionë me çakull, hidhej çakulli në një lagje të mbaruar ose në një fshat dhe njerëzit të jepnin votën. E konsideronin një dhuratë, për të cilën duhet të ishin mirënjohës. Ajo ishte një kohë që ka ikur prej kohësh”, tha Rama.

Sipas tij, zhvillimi i vendit ka sjellë edhe një ndryshim të pritshmërive të qytetarëve. “Sot, pikërisht se gjërat kanë ndryshuar dhe sepse të gjithëve iu është bërë e mundshme çdo gjë, teoria e dikurshme ‘ka dhe më keq, shyqyr mirë jemi’ i ka lënë vendin teorisë ‘ka dhe më mirë, pikë, mbaroj’”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se ky ndryshim përbën një zhvillim pozitiv, por njëkohësisht e bën më të vështirë qeverisjen. “Hyjmë në një stinë të pritshmërive të rritura. Tovili e quan ‘revolucioni i pritshmërive të larta’”, tha ai, duke sjellë si shembull përmirësimin e furnizimit me ujë.

Kryeministri u ndal edhe te protestat dhe ndikimi i rrjeteve sociale, duke pretenduar se një pjesë e tensionit është nxitur përmes teknologjisë.

“Nuk e prisja. Nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloj të ndjek shenjat, të analizoj dhe ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për ta kuptuar deri në fund.

Dhe kam kuptuar që jemi në këtë fazë. Është diçka shumë e mirë, sepse është një ndryshim zyrtar ose i vulosur nga njerëzit, i stinës së Shqipërisë. Por është diçka shumë sfiduese, sepse padurimi është i madh”, tha ai.

Më tej, ai foli për atë që e cilësoi si ndërhyrje përmes algoritmeve dhe rrjeteve sociale. “Por tjetër është ta shohësh se si ndodh, se si mijëra ushtarë të prodhuar nga laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe me emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën dixhitale të vendit dhe krijojnë gjithë atë tension të madh, ose më saktë, e rrisin”, tha Rama.

Në reagimin e tij, Rama e ka cilësuar gjithashtu protestën si të nxitur nga një “turmë dështakësh zemërakësh”, duke e lidhur klimën e krijuar me atë që ai e konsideron përplasje mes pritshmërive të reja të qytetarëve dhe zhvillimeve politike në vend.