Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë një reagim në rrjetet sociale lidhur me situatën me aeroportin e Vlorës.
Pacolli në postimin e tij në Facebook shkruan se ndërsa projekti pritej të përfundonte brenda pak javës dhe të niste përgatitja për vënien në operim, punimet u ndërprenë dhe punonjësit e MABCO-s nuk u lejuan të futen në kantier.
Ai shton më tej se sot situata ka arritur deri aty sa “qeveria padrejtësisht dhe në mënyrë të jashtligjshme është futur në procesin e ndërprerjes së kontratës, ndërkohë që BKT i kërkon MABCO-s edhe shlyerjen e kredisë prej 62 milionë eurosh”.
Biznesmeni thekson se nuk do të heqin dorë nga përgjegjësia e tyre ndaj këtij projekti dhe shprehet se MABCO viktima më e madhe e kësaj historie.
Ndër të tjera shton se ky aeroport nuk duhet të mbetet peng i interesave të askujt por duhet të hapet dhe t’u shërbejë qytetarëve.
Postimi i plotë:
Miq te mi!
Shikojeni këtë perlë!
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës ishte praktikisht në përfundim. Na nevojiteshin vetëm edhe rreth DY JAVË punë për të hyrë në fazën e certifikimit dhe përgatitjes për vënien në operim.
Dhe pikërisht atëherë ndodhi e pabesueshmja.
Njerëzit e lidhur me Valon Ademin, gjegjësishtë të ashtuqujturit ADMINISTRATOR ( e qe ishin ilegal) të mbështetur nga Policia e Shtetit ( pa asgjë të shkruar dhe pa asnjë vendim gjyqesor ) që nga fillimi i majit bllokuan hyrjen në kantier.
Nënkontraktorët, inxhinierët dhe specialistët e MABCO-s nuk u lejuan të hynin në objektet që vetë MABCO i kishte ndërtuar dhe financuar me investime prej qindra milionë eurosh.
Investitori Mabco u ndalua të hynte në veprën që vetë kishte financuar dhe ndërtuar!
Kemi bërë dhjetëra denoncime, kërkesa Qeverisë dhe paralajmërime pranë institucioneve. Kemi kërkuar vetëm një gjë: ligjshmëri, transparencë dhe të drejtën për ta përfunduar punën. Por zëri ynë nuk u dëgjua.
Sot situata ka arritur deri aty sa Qeveria padrejtësishtë dhe jashtligjeshem është futur në procesin e ndërprerjes së kontratës, ndërkohë që BKT i kërkon MABCO-s edhe shlyerjen e kredisë prej 62 milionë eurosh.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, ne nuk kemi hequr dorë nga përgjegjësia jonë ndaj këtij projekti dhe ndaj qytetarëve që prej vitesh presin ta shohin aeroportin të hapur.
Ne nuk do të ndalemi poashtu deri atëhere kur të sqarohet ky veprim kriminal dhe deri sa të meren në përgjegjesi autoret e ketij akti të shëmtuar!
Në momentin që në VIA rikthehen ligjshmëria, siguria juridike dhe kushtet normale për punë, ne jemi të gatshëm të kthehemi dhe ta përfundojmë këtë margaritar.
Jo për interesa personale. Jo për hakmarrje. Por për punën e bërë, për njerëzit që kanë derdhur djersën e tyre këtu dhe, mbi të gjitha, për qytetarët e Vlorës dhe të Shqipërisë që meritojnë ta kenë këtë aeroport në funksion.
Në mbi 50 vjet pune dhe përvojë ndërkombëtare, kam kaluar sfida të panumërta, por një situatë të tillë nuk e kam parë askund në botë dhe as imagjinuar që kjo do të ndodh në vendin tim.
MABCO është bërë viktima më e madhe e kësaj historie që konsiderohët si e paprecedent.
Por historia nuk përfundon me padrejtësinë.
Dokumentet mbeten. Faktet mbeten. Investimi është aty. Aeroporti është aty. Dhe herët apo vonë, e vërteta del në dritë dhe përgjegjesit do të kapen. M
Ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe mundësinë për ta përfunduar atë që nisëm.
Ky aeroport nuk duhet të mbetet peng i interesave të askujt. Ky aeroport duhet të hapet dhe t’u shërbejë qytetarëve.







