Ballina Politika Rama hap 4 universitete, Shkodra mbetet jashtë/ Boçi: Hakmarrje politike

Rama hap 4 universitete, Shkodra mbetet jashtë/ Boçi: Hakmarrje politike

61
0

Deputeti i PD, Luciano Boçi përmes një postimi publik akuzon qeverinë Rama për përjashtimin e Shkodrës dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi” nga nisma për hapjen e katër universiteteve të reja.

Boçi e cilëson vendimin hakmarrje politike, duke akuzuar Ramën se favorizon zonat dhe institucionet që i qëndrojnë pranë pushtetit. “Universiteti i Shkodrës nuk është peng i inateve”, shkruan ai.

Reagimi i plotë:

URREJTJA E RAMËS PËR SHKODRËN S’KA AS KUFIJ UNIVERSITARË

Rama shpall katër universitete të reja, ndërsa Shkodrën dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” i lë jashtë vëmendjes. Ky anashkalim mban vulën e hakmarrjes politike ndaj një qyteti që nuk i është nënshtruar.

Për Ramën, edhe dija duhet të kalojë provën e besnikërisë ndaj pushtetit. Investimet kthehen në favore, ndërsa përjashtimi në ndëshkim.

Shkodra, që i ka dhënë Shqipërisë arsim, kulturë dhe mendim të lirë, nuk ka nevojë për lejen e Ramës që të ketë të ardhme, sepse ia ka dalë gjithmonë stuhive dhe sfidave të historisë, falë qytetarisë së saj.

Paratë publike nuk janë pronë e tij. Universiteti i Shkodrës nuk është peng i inateve dhe paranojave halucinante nokturne të një kryeministri të marrë fund.

Shkodra do dijë t’ia japë përgjigjen këtij poturexhiu antiintelktual!