Ballina Sport Kritika nga Katalonja për Topin e Artë

Kritika nga Katalonja për Topin e Artë

51
0

Shpallja e nominimeve për “Topin e Artë” ka sjellë sërish polemika, veçanërisht në Katalonjë, ku mungesa e disa prej emrave më të rëndësishëm të Barcelonës nga lista prej 30 kandidatëve ka shkaktuar reagime të forta. Gazetari Alfredo Martinez, në një koment të publikuar në gazetën katalanase “Sport”, e vuri në dyshim drejtpërdrejt kredibilitetin e çmimit.

“A është vërtet kaq e rëndësishme ta fitosh ‘Topin e Artë’? Një çmim që nuk përfshin Pedrin dhe Raphinhan mes 30 lojtarëve më të mirë të sezonit humbet kredibilitetin që në fillim”, shkroi ai.

Sipas Martinez, futbolli gjithmonë do të ketë një element subjektiv dhe preferencat personale janë të pashmangshme. Megjithatë, ai konsideron se disa vendime janë shumë të vështira për t’u justifikuar.

Ai kritikoi përzgjedhjen e disa lojtarëve përpara yjeve të Barcelonës, duke argumentuar se Pedri dhe Raphinha duhet të konsiderohen pothuajse pa diskutim mes 10 apo 15 futbollistëve më të mirë në botë.

“Nuk do të biem kurrë dakord”

Martinez pranoi se debati rreth “Topit të Artë” nuk do të përfundojë kurrë, pasi secili ka preferencat e veta.

“E vërteta e madhe është se nuk do të biem kurrë dakord, sepse secili ka preferencat e veta dhe kjo është krejtësisht normale”, shkroi ai.

Sipas tij, kjo ngre një pyetje më të madhe: sa i rëndësishëm është në të vërtetë ky çmim për një lojtar apo për klubin e tij?

Ai theksoi se historia e futbollit është e mbushur me emra legjendarë që nuk e kanë fituar kurrë “Topin e Artë”, pa e zvogëluar aspak madhështinë e karrierës së tyre.

“Është bërë produkt marketingu”

Gazetari katalanas ishte edhe më kritik ndaj mënyrës se si çmimi është shndërruar në një produkt të madh mediatik.

“Në fund, është edhe një produkt marketingu dhe shitjeje imazhi. Në fakt, organizatorët përfitojnë më shumë prej tij sesa vetë lojtarët”, shkroi Martinez.

Sipas tij, tifozët e një klubi nuk kanë nevojë për “Topin e Artë” për ta kuptuar vlerën e një futbollisti.

“Shumica e tifozëve do t’i vlerësojnë lojtarët e tyre njësoj, pavarësisht nëse e fitojnë apo jo çmimin. Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë u japin këta lojtarë skuadrave të tyre dhe cili është niveli i tyre i vërtetë në fushë.”

Kritika ndaj rëndësisë së tepërt që i është dhënë çmimit

Martinez argumentoi gjithashtu se futbolli i ka dhënë “Topit të Artë” një autoritet të ekzagjeruar.

Sipas tij, çmimi trajtohet shpesh sikur të ishte një verdikt absolut për futbollistin më të mirë në botë, edhe pse në fund vendimi merret nga një grup gazetarësh me preferenca të ndryshme.

“I kemi dhënë të gjithë ‘Topit të Artë’ një autoritet të ekzagjeruar, pothuajse sikur të ishte një doktrinë. Në realitet, bëhet fjalë për një grup gazetarësh, secili me shijet e veta, që duhet të na tregojnë kush është më i mirë: ky lojtar apo ai tjetri”, shkroi ai.

Ai kujtoi se shumë prej futbollistëve më të mëdhenj në histori kanë zhvilluar karriera të jashtëzakonshme pa e fituar këtë çmim.

“Le t’ia japin kujt të duan”

Në fund, qëndrimi i Martinez ishte i prerë.

Sipas tij, Barcelona nuk ka nevojë për vlerësimin e një çmimi individual për ta ditur nivelin e futbollistëve që ka në skuadër.

“Le t’ia japin kujt të duan. Barcelona i di shumë mirë se cilët janë ‘Topat e Artë’ që ka brenda skuadrës së saj. Faleminderit”, përfundoi ai..