Ballina Ekonomia Accor mësyn Shqipërinë me pesë hotele të reja

Accor mësyn Shqipërinë me pesë hotele të reja

59
0

Accor, një nga grupet hoteliere më të njohura në botë, njoftoi se do të zgjerojë praninë e tij në Shqipëri me pesë hotele shtesë si dhe prezantimin e dy markave të reja, “Handwritten Collection” dhe “Novotel”.

Shoqëria lider në tregun ndërkombëtar të mikpritjes tha se 5 hotelet e reja, që do të mbajnë markën e saj, u shtohen tre hoteleve ekzistuese, “Mövenpick Hotel Lalez Durres”, “Mercure Tirana” dhe “Green Coast Hotel MGallery Collection” në Palasë.

Philippe Bijaoui, Drejtor i Zhvillimit për Evropën dhe Afrikën Veriore (për markat e kategorive Premium, Midscale dhe Economy) në “Accor”, u shpreh:

“Falë bukurive natyrore, kulturës autentike dhe infrastrukturës turistike që po përmirësohet me shpejtësi, Shqipëria po shfaqet si një nga tregjet më interesante të mikpritjes në rajon. Përmes bashkëpunimeve me partnerë që ndajnë të njëjtin vizion dhe operatorë me përvojë, strategjia jonë e zgjerimit do të na mundësojë të forcojmë më tej pozicionin tonë në vend dhe të vazhdojmë të përmbushim nevojat në ndryshim të udhëtarëve vendas dhe ndërkombëtarë.”

Markat “Handwritten Collection” dhe “Novotel” do të bëjnë debutimin e tyre në Shqipëri përmes objekteve në Tiranë, ndërsa “Swissôtel” do të hyjë në treg me dy struktura të reja bregdetare në Qerret dhe Vlorë.

Tre hotele të reja në Tiranë Hotel

NOÉM Tirana – Handwritten Collection pritet të hapet gjatë vitit 2026 në lagjen “Don Bosco”, rreth dy kilometra larg Sheshit Skënderbej. I zhvilluar nga sipërmarrësi vendas Emiljan Moçka, hoteli do të ketë 32 dhoma, si dhe restorant, bar dhe ambiente parkimi.

Një strukturë e dytë e markës Handwritten Collection, Adorn Hotel Tirana, është planifikuar për vitin 2027. I vendosur pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhe Parkut të Tiranës, hoteli me 25 dhoma do të përdorë traditën shqiptare të kultivimit të ullirit si frymëzim për dizajnin dhe përvojën e mysafirëve.

Hoteli i tretë në kryeqytet, Novotel Tirana, është planifikuar të hapet në pranverën e vitit 2027 në zonën e Bllokut. Objekti i sapondërtuar me 109 dhoma do të përfshijë restorant dhe bar në tarracë, zonë pritjeje (lobby) dhe kafene, kënd për fëmijë, ambiente shumëfunksionale për takime, qendër fitnesi dhe parkim nëntokësor.

Ai po zhvillohet në partneritet me Elona Gjondedajn dhe do të menaxhohet nga kompania Jona Hotels Management.

Dy hotele të reja në bregdet

Accor do të sjellë gjithashtu markën Swissôtel në Shqipëri përmes dy projekteve të tipit “resort”. Swissôtel Qerret pritet të hapet në vitin 2028 me 374 dhoma të shpërndara në shtatë kate.

Ambientet e planifikuara përfshijnë disa bare dhe restorante, hapësira për konferenca, pishina të jashtme dhe ambiente për mirëqenie (wellness).

Swissôtel Vlora do të pasojë me një projekt në Radhimë në vitin 2030. Resorti bregdetar i kategorisë “premium” me 99 dhoma po zhvillohet në partneritet me kompaninë e pasurive të paluajtshme dhe investimeve ULK Invest Sh.p.k. dhe do të përfshijë një sërë ambientesh për argëtim dhe kohë të lirë.

Këto pesë shtesa do të zgjerojnë gamën e ofertës së Accor-it në Shqipëri, duke përfshirë markat e kategorive “collection”, “midscale” (të nivelit të mesëm) dhe “premium”, si dhe do të zgjerojnë praninë e kompanisë përtej Tiranës, në tregun në rritje të turizmit bregdetar të vendit.

Të gjitha strukturat e reja do të jenë pjesë e programit të rezervimeve dhe besnikërisë ALL të Accor-it që në momentin e hapjes së tyre.