Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.
Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.
“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit.
Ai tha se ka biseduar me Thaçin dhe se do ta takojë sërish.
“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, tha Prosper.
Sipas tij, shpresa e mbrojtjes është që aktgjykimi të rrëzohet në apel, ndonëse paralajmëroi se procesi mund të zgjasë me vite.
Prosper bëri thirrje, gjithashtu, që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.
Ai i bëri thirrje institucioneve të Kosovës të shfuqizojnë Gjykatën Speciale.
“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, tha Prosper.
Apelimin e aktgjykimit e paralajmëruan edhe avokatët e të dënuarve të tjerë.







