Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka nisur mbledhjen e grupit parlamentar duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.
Berisha e cilësoi këtë si një ditë të rëndë për shqiptarët dhe familjet e ish-drejtuesve politikë të UÇK-së. Sipas tij, trupi gjykues i shkallës së parë nuk ka arritur të argumentojë në mënyrë konkrete akuzat, por ka dhënë dënime që ai i konsideron të pajustifikuara.
Ai deklaroi se vendimi i Hagës është pritur me festime në Serbi, ndërsa e lidhi atë me pretendime që, sipas tij, janë përsëritur prej vitesh nga propaganda e Beogradit. Kreu i PD-së theksoi se, pavarësisht vendimit të Gjykatës, lufta e UÇK-së dhe roli i saj në çlirimin e Kosovës, sipas tij, nuk mund të zhbëhen.
“Sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, familjet e ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së, pasi gjykata e Shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti që të substanciojë asgjë konkrete, përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit. Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë, në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politikë të UÇK-së. Me këtë rast, festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta, por asgjë nuk mund të errësojë luftën e UÇK-së, të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur. Ato ishin akuza bajate propagandistike të Sllobodanit dhe të padronit të Edi Ramës. PD shpreh vlerësimin më të madh për luftën çlirimtarë të Kosovës dhe shpreson dhe beson se Apeli i gjykatës unike në botë në llojin e saj, se aty janë mbledhur të gjitha dosjet e Beogradit. U akuzuan për transplant organesh, zero!”, tha Berisha.







