Ballina Opinion O sa mir me ken… dëshmitar, o hej!!

O sa mir me ken… dëshmitar, o hej!!

48
0

Nga Ylli Manjani 

Po e them që në fillim, që të mos ketë keqkuptim, unë nuk jam dakord me vendimin e Hagës ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Nuk jam dakord as me mënyrën se si u zhvillua ky proces, për të cilin ka pasur, sipas këndvështrimit tim, devijime serioze nga standardet e një procesi të drejtë e të rregullt. Dhe aq më pak jam dakord me pasojat politike, historike e njerëzore që ky vendim mund të prodhojë.

Por pikërisht për këtë arsye, nuk e kërkoj dot fajin vetëm te Haga.

Madje mendoj se do të ishte shumë e lehtë ta bënim këtë.

Të thuash se “Haga është fajtore”,
“Gjykatësit janë fajtorë”, “Prokuroria është fajtore” apo
“Ndërkombëtarët janë kundër nesh”, është më e thjeshta. Të bësh fajtorë disa jashtë nesh, të cilëve s’kemi se ç’tu bëjm, është justifikim. Larje duarsh. Qokë solidarizuese koti që ja bëjm shpesh njëri-tjetrit në kësi rastesh.

Mendoj se e vërteta është më e hidhur. Ai gjyq nuk lindi në Hagë.
Ai gjyq lindi shumë më herët. Lindi në konfliktet tona.Në përplasjet tona.

Lindi në pamundësinë tonë për t’i zgjidhur hesapet brenda nesh.

Lindi tek shqiptari që denoncon shqiptarin. Te shqiptari që dëshmon kundër shqiptarit.

Ca më keq akoma, tek inati i luftëtarit kundër luftëtarit.

Besoj e dini se ai gjyq u bazua në dëshmitë e bollshme të shqiptarëve. U bazua edhe tek dëshmitë e luftëtarët të UÇK kundër njëri-tjetrit.

E dhimbshme gjer në palcë!

Haga vetëm i mori këto dëshmi, i futi në një sallë gjyqi dhe u dha atyre formën e një procesi penal.

Kjo nuk e bën Hagën të drejtë, padyshim. Por as nuk e bën Hagën autoren e gjithçkaje.

Por le të mos e harrojmë, bashkë me padrejtësinë e Hagës edhe këto pyetje:
Kush ia dha Hagës materialin njerëzor të këtij gjyqi?
Kush foli?
Kush dëshmoi?
Kush tregoi histori nga brenda?
Kush foli për komandantë, struktura, burgje, ndalime, konflikte dhe ngjarje që pretendonte se i kishte përjetuar ose parë?

Në një masë të rëndësishme, ishin shqiptarë.

Dhe kjo është pjesa që dhemb më shumë.

Jo sepse shqiptari nuk duhet të dëshmojë.
Përkundrazi.
Nëse një shqiptar ka parë një krim, duhet të flasë.
Nëse është viktimë, duhet të flasë.
Nëse ka një të vërtetë për të treguar, duhet ta tregojë.

Problemi nuk është shqiptari që thotë të vërtetën.

Problemi është kultura e vjetër e shqiptarit që e përdor të huajin si gjykatës të konfliktit me shqiptarin.

O sa mir me ken… dëshmitar o hej!

Tani, pas vendimit, nuk ka asnjë kuptim të bërtasim “Haga na dënoi!” Haga nuk e shkroi e vetme atë vendim.

Nëse deri dje e konsideruam Hagën institucionin ku shqiptari mund të shkonte të dëshmonte për shqiptarin tjetër, nuk mund të themi dot sot se Haga është e paligjshme vetëm sepse vendimi preku shqiptarin që ti mbron.

Mund ta kundërshtosh vendimin.
Duhet ta analizosh.
Mund të kundërshtosh provat.
Mund të kritikosh procedurën.
Mund të kërkosh apel.
Mund të thuash se gjykata ka gabuar rëndë.

Por nuk mund të fshish historinë që e çoi çështjen deri atje.

Kjo do të ishte mënyra më e lehtë për të shmangur pyetjen më të vështirë, “Pse shqiptarët ia dorëzuan njëri-tjetrit gjyqin një gjykate të huaj?”

Nga ana tjetër nuk mendoj se një popull nuk poshtërohet nga fakti që ka dëshmitarë.
Por poshtërohet kur nuk arrin t’i zgjidhë konfliktet e veta pa kërkuar një arbitër të huaj.

Dhe këtu është ndryshimi.
Nuk dua të fajësoj viktimën.
Nuk dua të fajësoj dëshmitarin.
Nuk dua të relativizoj asgjë.

Dua të ndalem tek një mentalitet politik e shoqëror që na ka ndjekur gjatë:
kur nuk e mund dot shqiptarin me argument, kërko të huajin;
kur nuk e mund dot me votë, kërko prokurorin;
kur nuk e mund dot me drejtësi, kërko gjykatësin;
dhe kur gjykatësi vendos kundër teje, fajëso gjykatësin.

Ky është rrethi ynë vicioz, me të cilin paqtohemi në mënyrën më të frikshme të mundshme.

Prandaj unë nuk e fajsoj Hagën.
Jo sepse jam dakord me të.

Pikërisht sepse nuk jam dakord me të. Dua ta kundërshtoj me argumente. Me prova. Me ligj. Me standardet e procesit të rregullt. Me apel.
Jo me harresë.

Sepse nëse themi se Haga është fajtore për gjithçka, po i bëjmë vetes një favor të rremë.
Po shmangim pyetjen që dhemb.
Si arritëm ne, shqiptarët, deri këtu?

Si arritëm që një pjesë e luftës sonë, e historisë sonë dhe e konflikteve tona brenda UÇK-së të përfundonte në një sallë gjyqi në Hagë?

Dhe ndoshta kjo është më e rëndë se vetë vendimi.
Sepse Haga mund të gabojë dhe vendimi mund të ndryshojë.
Por nëse nuk ndryshojmë atë që na çon vazhdimisht te shqiptari kundër shqiptarit, asnjë vendim gjykate nuk do të na shpëtojë nga vetvetja.

E vërteta e hidhur nuk është vetëm ajo që vendosi Haga.

E vërteta e hidhur është se një pjesë e gjyqit të shqiptarëve kundër shqiptarëve u zhvillua në Hagë.