Ballina Politika Emiri: Studentët e 36 vendeve refuzojnë konviktet, Gonxhja fsheh letrën dhe mashtron...

Emiri: Studentët e 36 vendeve refuzojnë konviktet, Gonxhja fsheh letrën dhe mashtron publikisht

55
0

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Julinda Emiri, deklaroi se studentë nga 36 vende të botës refuzuan të akomodoheshin në konviktet e Qytetit Studenti gjatë Kampionatit Europian Universitar të Sporteve Luftarake, duke detyruar autoritetet t’u siguronin ambiente të tjera.

Në një deklaratë për median, Emiri tha se Partia Demokratike disponon një letër të presidentit të EUSA 2026, Haris Pavletić, drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, në të cilën thuhet qartë se godinat e dakordësuara për akomodimin nuk do të ishin të disponueshme për aktivitetin. Ajo akuzon ministrin Blendi Gonxhja se e ka fshehur dokumentin.

Emiri ngriti shqetësimin për kushtet e konvikteve dhe pyeti se çfarë do të ndodhë me studentët shqiptarë që do të nisin vitin akademik në tetor, duke akuzuar qeverinë për propagandë dhe fshehje të realitetit. Deklarata e kryetares së Këshillit Kombëtar, Julinda Emiri

Studentë nga 36 vende të botës kanë refuzuar të akomodohen në konviktet e Qytetit Studenti, duke e detyruar Ministrinë e Kulturës dhe Sportit t’u gjejë mjedise të tjera gjatë zhvillimit në Tiranë të Kampionatit Europian Universitar të Sporteve Luftarake.

Pas denoncimeve në media, ministri Blendi Gonxhja e mohoi publikisht këtë fakt.

Por Partia Demokratike disponon një letër të presidentit të EUSA 2026, Haris Pavletić, drejtuar Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, në të cilën thuhet qartë se godinat e dakordësuara për akomodimin nuk do të ishin të disponueshme për aktivitetin.

Këtë dokument Gonxhja e ka fshehur nga publiku. Në stilin e Edi Ramës, ai di vetëm të rrahë gjoksin për arritje imagjinare në 3D, ndërsa realitetin e konvikteve shqiptare përpiqet ta mbulojë me propagandë dhe mohime.

Sportistët e huaj u sistemuan në mjedise të tjera dhe, pas përfundimit të kampionatit, do të kthehen në vendet e tyre. Por pyetja që mbetet është: çfarë do të ndodhë me studentët shqiptarë, të cilët në fillim të tetorit nisin vitin akademik?

Për ta nuk do të ketë hotele dhe as akomodim alternativ. Ata do të detyrohen të jetojnë në të njëjtat kushte të papërshtatshme që bashkëmoshatarët e tyre nga 36 vende të botës i refuzuan.

Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës: fasadë për të huajt, konvikte të degraduara për studentët shqiptarë; propagandë publike, dokumente të fshehura dhe mashtrime nga ministrat. Ky fakt i rëndë, të cilin propaganda nuk mund ta fshehë, duhet të shërbejë si një thirrje për çdo student shqiptar që t’i bashkohet protestës qytetare në Bulevard.