Kylian Mbappé i ka dhënë fund bashkëpunimit shumëvjeçar me kompaninë amerikane Nike, duke nënshkruar marrëveshje me prodhuesin zviceran të veshjeve sportive “On”.
Marrëveshja shënon edhe hyrjen zyrtare të kompanisë me seli në Zürich në tregun e futbollit, ku do të konkurrojë me emra të mëdhenj si Nike, Adidas dhe Puma. Sipas Reutersit, kontrata me kapitenin e Francës përfshin pagesa financiare dhe pjesëmarrje në aksione. Vlera e marrëveshjes nuk është bërë publike.
Mbappé kishte bashkëpunuar me Nike që nga viti 2006, kur ishte ende fëmijë. Ai u shndërrua më pas në një nga figurat kryesore të kompanisë amerikane në futbollin ndërkombëtar.
“On” ka njoftuar se Mbappé do të bashkëpunojë drejtpërdrejt me ekipet e zhvillimit dhe testimit të produkteve të ardhshme për futboll. Kompania planifikon t’i prezantojë këpucët e para të futbollit më 2027.
Ish-sulmuesi i Francës dhe Arsenalit, Thierry Henry, është emëruar drejtor i futbollit në kompaninë zvicerane. Sipas “On”, Henry ka punuar që nga fundi i vitit 2025 në përgatitjen e hyrjes së markës në këtë sport.
Pjesë e projektit është edhe futbollistja zvicerane e Barcelonës, Sydney Schertenleib, e cila do të përfshihet në zhvillimin dhe testimin e produkteve për futbollin e femrave.
“On” u themelua në Zvicër më 2010 dhe fillimisht u bë e njohur për këpucët e vrapimit. Më pas kompania u zgjerua në tenis, ndërsa Roger Federer është një nga investitorët dhe partnerët e saj më të njohur. Largimi i Mbappés përbën një humbje të rëndësishme marketingu për Nike, pasi futbollisti francez ishte një nga emrat më të dalluar të markës.







