Ballina Europë Babai vdiq 18 muaj më parë, i biri fshehu trupin në dollap...

Babai vdiq 18 muaj më parë, i biri fshehu trupin në dollap për t’i marrë pensionin

57
0

Një 25-vjeçar spanjoll është arrestuar pasi mbajti të fshehur trupin e pajetë të babait të tij në dollapin e shtëpisë për të paktën 18 muaj, me qëllim që të vazhdonte të merrte pensionin e tij.

Ngjarja e rëndë u zbulua të enjten në qytetin e vogël Torrecaballeros, në Spanjë, pasi policia u alarmua nga një erë e rëndë që vinte nga banesa në rrugën Los Fresnos.

Kur hynë në shtëpi, efektivët gjetën trupin e 71-vjeçarit të mbështjellë me qese silikoni, në një përpjekje për të maskuar erën e dekompozimit. Edhe dhoma ishte izoluar me silikon për të parandaluar përhapjen e erës.

Sipas policisë, babai kishte ndërruar jetë rreth një vit e gjysmë më parë. I riu mund të përballet me akuza për fshehjen e trupit dhe për përfitimin në mënyrë të paligjshme të pensionit të të atit.

Ende nuk dihet shkaku i vdekjes. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë nëse 71-vjeçari ka vdekur nga shkaqe natyrore. Deri tani nuk janë raportuar shenja dhune dhe hetuesit dyshojnë se vdekja mund të ketë ardhur për shkaqe natyrore.

Ngjarja ka tronditur banorët e qytetit. Fqinjët e përshkruajnë të ndjerin si një person të shoqërueshëm, i cili frekuentonte rregullisht një lokal në zonë. Sipas tyre, ai vuante nga demenca dhe marrëdhënia me të birin dukej normale.