Nga Agron Gjekmarkaj
Pa e marrë mirë veten nga largimi prej qeverisë të një personaliteti poliedrik si Pirro Dëngu, ecja e mendueshme e të cilit dhe vështrimi ndaj horizontit na lanë mbresa të pashlyeshme, si gjëmë na këputi dëbimi i Lameqyqes dhe çmeritja e tij!
Thonë që Etilda atje në konak të Kryeministrisë çorri faqet, por shpejt kishte mbledhur veten e i kishte bërë një kafe pa sheqer që të shtrëngonte midenë e mos të zalisej në divanin e Babos sa të mbaronte xhirimi i agjitpropit!
Ministri i ri i Rendit, Demir Demo, ia di kimene ta pesosh nga krimi i organizuar, ndaj do i bëjë luftë të madhe atij!
Gojët e liga, që u shofshin e kripë ngrënshin gjithmonë, thonë që edhe një javë më pas, ngaqë është topolak, i mbetën shenjat e dackave nëpër faqe dhe të shkelmave në tule, atëherë kur e darovitën në zyrë fshatçe! Janë harbuter more! Kanë dorë të rëndë dreqërit!
Tani do ulet afër Gonxhes dhe, si dy mzeter, do tërheqin parmendën e qeverisë! Babua do i cyse pakëz me hosten në të prapme!
Lozonjari Sofjan, me mungesën e gjatë, i ka madhëngjyer disa, natyrisht jo burrat allçak si Termeja!
Qefserja rri e pajetë dhe e murosur, askush nuk e di pse është në Qeveri, ajo vetë jo e jo, por as Babo, i cili me gjasë ka dashur të shkaktojë një habi duke dekurajuar kuriozët në zbërthimin e këtij labirinthi logjik!
Klodi Spaqia u vuvos në interpelancën e parë, skuqej, lebetitej, fliste përçart e ngrata, i jepte urdhra Evis Kushit, përjashto atë, largo këtë, sillmë ujë se plasa, lëshonte piskama, kërkonte ndihmë, ikte, vinte, djersitej, uf e buf! Kur doli nga salla, për fat, Pendavia, i merakosur, me një erashkë të madhe i bënte fresk dhe i frynte nga pak që t’i binte ndezullia!!!
Zeniqeja, edhe pse mori një kompliment ashtu trashë, le të themi derrçe, për këmbët nga gazetarët apo gardistët, ka një shpërthim nuri, sa Antoneta Dyfeku ka kaluar në hije me bikotinat e veta!
Dilo Nasufi ngjan me Diogjenin. Nufi me një peshëngrites amator!
Tezja po jeton një periudhë rehatie, po gjithsesi, kur doli në foltore, i hoqi tapën faqores, e tërhoqi nja dy herë, një tuuup u dëgjua në ajër, një llek , llek, llek e pastaj fshiu buzët dhe lëshoi një eh kënaqësie e sigurie!
Tani që kaloi gushtin, sikur nuk i bën dëm si më parë as në kokë, as në stomak!!
Na kënaqi zefirja me shikime të zgjatura, mbushur me habi, mister e qortim, me flokët që i mblidhte topuz me dorë dhe pastaj, si turtulleshe adoloshente, lëshonte nektar në arat e mërzisë me lëvizjet sensuale të kokës, shoqëruar me pulitje qerpikësh, ku delikatesa dhe sharmi bashkoheshin në një, krejt si proshuta e djathi në panine!
Klosi i kishte sytë kapuç! Ulesia ngroh duart në çdo zjarr që ndizet, kafshonte buzët që në sabah dhe bënte shenja e shiharete! Nën zë tha: aman, mos e ngacmoni, e ka gdhirë mbrëmë, lëreni aman, ka humbur shumë, por xhani i donte të kundërtën.
Fatmir Xhafa, nëna e reformës në drejtësi sipas Starzimirit, se babe kishte caktuar Aurela Anastasin si një dollibash pa shishe, përpiqej t’u mbushte gotën edhe magjistratëve, edhe qeverisë!
Sypetrit Malaj kishte ethe dhe mornica gjithë kohën! Delina Brahimi i vinte një pecë të lagur me ufuth, herë pas here, te koka dhe fap i rraste nje aspirine ne goje!
Lajmi që Mamica ka takuar Babon e thirrur prej tij ne zyre , e shoqëruar nga Tao si dëshmitar, por dhe si lajmës që llafi të përhapej me masë, e ka ndryshuar qamet situatën!
Thonë që Babos, për herë të parë, i është lagur e qullur mjekrra nga malli, aq shumë i kishte munguar ajo lanete! E kishte pritur Mamicen me lule e çokollata!
Teksa Mamica fliste , ai i kishte bërë edhe një portret, ku flokët ia kishte nakatosur si litarë e nyje ku te mbetet shpirti i varur !
Socialistët prisnin në radhë tani për të pirë një kafe me Mamicen, por ajo zgjodhi “Kronikën”, që e ka mëkuar, mbajtur si në gji të Krishtit e mbrojtur nga syri i keq në këto kohë jallane!
Vetë Bledion Nallbaja, me të marrë lajmin, i kishte dhënë fund eremitizmit!
Ai kishte ndezur zjarrin në gji, ndaj filloi përsëri poteren, zallamahinë kundër qeverisë! I zhgënjyer, pasi kishte shpresuar që Mamica do ndahej nga tufa dhe ai, si ujk i vjetër, do bënte kërdi, tani ndjellte hatane!
Ervin Hoxhes i eci mbarë, më në fund u kujtuan për atë çamarrok e caktuan në grupin e miqësisë me Korenë e Veriut! Haberri shkaktoi të qeshura, por ai ishte i emocionuar dhe e mori si shenjë ringjalljeje! Qesh mire kush qesh i fundit u mejtua!
Pritet që Damon ta caktojnë në atë të Jemenit!
Bora ka rënë në të thella, bashkë me Iglin bëjnë muhabete mistike për temjanin, djallin e të birin! Ngjajnë si dy klerikë të braktisur nga Kisha!
Olta dhe Ogi i janë rikthyer vetëdijes popullore, tabanit, meditojnë dhe shohin filxhan!
Kryezevend Lideri Hyqymeti Flamur, gjithnjë e më serioz e hijerëndë, siç i ka hije, qortoi “Kronikën” për hallakatje, dalje nga tema politike e ditës dhe mesazh të shpërqendruar! Mbajtëm shënim dhe i thamë aferim! Duart i këpusim, qejfin nuk ia prishim.
Aty nga pasditja, meqenëse protestuesit na kishin bllokuar furnizmet me byrek e llallë që drejtoria e shërbimeve na i shet katër herë më shtrenjtë se tregu, Tao kishte uri çakalli!
Erjo Mile, emri i të cilit u fiksua pas një viti si një akçi i mbaruar, ia gjeti anën e solli tre shporta plot me sallam, shishqebap, djathë, qepë e copa kukureci! I hapën aty në mes të vendit!
Erjon Malajt, hamesit, i lexohej padurimi dhe nepsi, ndërkohë mbante një thupër që të gjuante Erjon Braçen, i cili kërkonte një çaçkë! Një çaçkë mi një çaçke po hiç ata zemren gur !
Deputetë flisnin, Tao përtypej, i dhanë lugë, pirun, por jo, do ha si populli, tha: mishi e gruaja zihen me dorë!
Të mbushim barkun, rënkoi, u pa puna Niko lart, ne poshtë, jallane politika!
Brunilda Bakerri e shihte dhe e admironte! Sa fat të jem afër Taos!
Debati që i ashpër dhe i gjatë!
Gazment Bardhi, i cili kishte pirë benzinë, e bëri Babon të ikte nga salla, se i vogli shtrin viganin, se i shtypuri tiranin, do thoshte Noli!
Mos mor haram, mos pshretinte Kostaqi nga lozha, mos mor katran, mos, si t’i nxë goja ato llafe, si po ia helmon xhanin para se të niset në Amerikë, ai me besë, me pasqyrë, me krehër, me prani, pra ai me bukë e ju me gurë, sytë ju plaçin, hajër mos bëfshi!
Qershia mbi tortë që Jorushi i Tabakeve, ajo si profeti para mbretit, nën dirigjimin e Saimir Koreshit, këndoi himnin e protestës edhe për faktin se Babua e pa në mënyrë të pahijshme: “Babo, jep dorëheqjen”!
Isuf Çela me Xhelal Mziun pinin nga nje duhan si njerez qe kanë parë shumë e me teper do të shohin ! Bujar Leskaj shkund “Kroniken” qe të dalë nga dembelia dhe të bëhet me shpeshte se mezi e pret mileti!







