Ballina Kulturë Lëvizja “Grua, Jetë, Liri” lë gjurmë në kinematografinë iraniane

Lëvizja “Grua, Jetë, Liri” lë gjurmë në kinematografinë iraniane

77
0

Katër vjet  pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila nxiti lëvizjen më të madhe protestuese në Iran në dekada, ndikimi i lëvizjes “Grua, Jetë, Liri” është i pranishëm në shoqërinë iraniane.

Një nga efektet më të qëndrueshme të lëvizjes ka qenë mënyra se si kineastët iranianë i portretizojnë gratë. Personazhet që dikur duhej të përballeshin me kufizimet e vendosura nga sistemi i censurës iraniane, gjithnjë e më shumë po paraqiten si gra që thjesht refuzojnë t’i pranojnë ato.

Në filmin e Jafar Panahit, të titulluar Ishte thjesht një aksident, një nga personazhet kryesore grua shfaqet pa shami, e vendosur dhe pragmatike, duke i detyruar njerëzit përreth saj të përballen me të vërteta të pakëndshme. Panahi ka thënë se ky personazh pasqyron gratë që morën në duart e tyre fatin e tyre gjatë protestave “Grua, Jetë, Liri”.

Më 16 shtator është shënuar katëvjetori i vdekjes së Aminit. Amini ishte 22 vjeçe në atë kohë dhe u ndalua nga e ashtuquajtura “polici e moralit” në Teheran, për shkelje të pretenduar të ligjit për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit. Pas tri ditësh në paraburgim, ajo vdiq, si pasojë e asaj që autoritetet e cilësuan si mosfunksionim të zemrës.

Megjithatë, dëshmitarët okularë, përfshirë disa gra që ishin ndaluar bashkë me Amini, thanë se ajo ishte rrahur keq nga policia. Familja e saj tha se ajo gëzonte shëndet të mirë para arrestimit dhe fajësoi dhunën policore për vdekjen e saj.

Patrullat, dikur të frikshme që kontrollonin veshjen e grave nga koka te këmbët, janë zhdukur në masë të madhe nga jeta e përditshme që nga protestat masive të vitit 2022. Rregullat për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit janë ende në fuqi, por zbatimi i tyre është zbutur dukshëm në qytetet kryesore të Iranit, të cilat më parë ishin vatra të përplasjeve të grave që luftonin për lirinë e tyre. Por, ndryshimi nuk kufizohet vetëm te hixhabi.

Në filmin Bidad (Britmë) të Soheil Beiraghit, i realizuar në Iran pa autorizim zyrtar, konflikti kryesor sillet rreth një ndalese tjetër të vendosur ndaj grave: këndimit në publik.

Por, shqetësimi që ngre filmi në fund më i gjerë se këndimi. Zëri shndërrohet në një çështje se kush lejohet të shihet dhe të dëgjohet në publik dhe kush pritet të mbetet i heshtur. Kur Seti, protagonistja e filmit, këndon pa pritur që të marrë leje, veprimi i saj shndërrohet në një formë të mosbindjes civile.

Rruga, ashtu si gjatë protestave të vitit 2022, bëhet më shumë se një hapësirë e zakonshme publike, ajo shndërrohet në një vend ku parashtrohen kërkesa dhe kundërshtohen kufizimet.

Një grup në rritje kineastësh iranianë ka shkuar edhe më larg, duke prodhuar filma jashtë rregullave të vendosura nga Ministria e Kulturës dhe pa lejet zyrtare që tradicionalisht kërkoheshin për realizimin dhe publikimin e një filmi në Iran.