Mes debateve ka nisur puna në Komisionin për Nismat Qytetarë, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku opozita ka kërkuar “llogari” nga deputetët e mazhorancës, pas zhvillimeve të ndodhura mëngjesin e kësaj të marte ku SPAK kërkoi masë sigurie ndaj ish-drejtoreshës tanimë të SHISH, Vlora Hyseni.
Ka qenë deputeti demokrat Ivi Kaso ai i cili ka kërkuar mbledhjen e Këshilit të Sigurimit Kombëtar, dhe një reagim nga socialistët. Ndërkohë që kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, ja ktheu duke i thënë se institucionet përkatëse kanë kryer punën e tyre sa i përket masave të lëshuara dhe që ky fakt përkthehet në një “pjekuri të demokracisë” dhe shtetit të së drejtës.
Xhafaj tha se ngjarje të tilla ndodhin dhe në vende të tjera të botës, ndërkohë që nuk la pa vënë në dukje gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur në tryezë me socialistët në komisione dhe për të diskutuar lidhur me këtë ngjarje, nëse do të jetë nevoja.
“Institucioni përkatës është shenjë e pjekurisë së demokracisë, shenjë dhe tregues i qartë i pjekurisë së institucioneve. E kundërta do të ishte e vërteta, atë që kemi parë në 30 vite. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar dhe shtet të së drejtës. Nëse ka qasje që mbi këtë bazë duhet reflektuar, jam dakord që, nëse kjo lidhet me komisionin tonë, ulemi si komision dhe nëse lidhet me ne, nuk e shoh që të jetë aq e lidhur me si komision në fushën tonë drejtpërsëdrejti. Por nëse e shohim të nevojshme, ne apo ndonjë komision tjetër, apo bashkë me ndonjë komision, dhe në rast se duhet të bëjë diçka Kuvendi, atëherë jemi të gatshëm të vlerësojmë propozimet tuaja. Ne bëjmë detyrën tonë, institucionet bëjnë punën e tyre. Në vijim e thashë dhe njëherë, nëse ka gjëra që duhet t’i reflektojë komisioni ynë apo komisionet e tjera parlamentare, jemi të gatshëm të përballemi me këtë diskutim dhe përgjegjësi përkatëse”, tha Xhafaj.







