Ballina Politika “Vlora Hyseni, vjen nga një familje e lidhur këmbë e krye me...

“Vlora Hyseni, vjen nga një familje e lidhur këmbë e krye me trafikun ndërkombëtar të drogës”/ Peka trondit me deklaratën: SPAK të hetojë mënyrën se si ajo ka marrë certifikatën e sigurisë, sepse është i përfshirë kryeministri

124
0

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avenir Peka, i ftuar në nje studio televizive, ka ngritur një sërë pretendimesh në lidhje me ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, dhe mënyrën se si ajo është pajisur me certifikatat e sigurisë.

Peka deklaroi se Vlora Hyseni vinte nga një familje e lidhur, sipas tij, me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe se disa prej familjarëve të saj të afërt në Kosovë ishin dënuar në Gjermani për trafik droge.

Ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si janë kryer verifikimet për pajisjen e saj me certifikatë sigurie. Sipas Pekës, SHISH-i kishte mbledhur informacion për Hysenin dhe, për shkak të faktit se ajo kishte jetuar dhe punuar në Kosovë, i ishte drejtuar institucioneve ligjzbatuese dhe shërbimit sekret të Kosovës për informacione shtesë.

Peka pretendoi se informacioni i ardhur nga Kosova ishte fshehur dhe se, në vend të tij, ishte përgatitur një raport tjetër mbi bazën e të cilit ishte dhënë certifikata e sigurisë.

‘Për sa i përket Vlorа Hysenit. Vlora Hyseni vjen nga një familje e lidhur këmbë e krye me trafikun ndërkombëtar të drogës. Familjarët e saj në Kosovë, familjarët e saj të afërt, jo vetëm që janë kryesorët e trafikut të drogës, por janë të dënuar me vendim të formës së prerë në Gjermani. Jo një, janë disa.

Rrethi i ngushtë familjar i Vlorа Hysenit janë jo një, por disa të dënuar në Gjermani për trafik droge.

Në vitin 2021 ajo ka qenë zëvendësdrejtoreshë e SHIK-ut në Kosovë, e komanduar drejtoreshë.

Një ndër aktet e para që ka bërë Presidentja e Kosovës ka qenë shkarkimi i saj.

Pas shkarkimit të saj, s’po merremi me motivet, Edi Rama e ka marrë këshilltare të sigurisë kombëtare.

Këshilltarja e sigurisë kombëtare, kam qenë unë, e di se si funksionon. Pajiset me dy certifikata të sigurisë. Njëra është certifikata e brendshme, tjetra është certifikata e NATO-s.

Certifikata e brendshme është e nivelit ‘Tepër Sekret’. Është niveli më i lartë. Kryeministri e ka në atë nivel, Presidenti e ka në atë nivel dhe disa ministra, jo të gjithë ministrat.

Certifikata e dytë është e NATO-s. Certifikata e NATO-s është ‘NATO Cosmic Top Secret’. Është më e larta e NATO-s, përveç asaj që është një specifike që merret me informacion për armët bërthamore, që s’na takon neve.

Ajo është pajisur me këto dy certifikata.

Po kush, kush është problemi këtu? Po të hetojë SPAK-u, në mënyrën se si pajiset ajo me certifikatë, gjysma e shtetit shkon në burg.

Tani do të përmend të dytën. Dhe çfarë ka ndodhur? Dhe çfarë ka ndodhur?

Duke qenë se pozicioni i këshilltarit të sigurisë kombëtare duhet të shoqërohet me pajisjen me certifikatë sigurie për shkak të informacionit sekret që kalon…

SHISH-i ynë është ngarkuar, siç e ka dhe me ligj, për të mbledhur informacione mbi të, në mënyrë që DSIK-ja pastaj të jepte ose jo certifikatën e sigurisë.

Duke qenë se kjo është nga Kosova dhe ka jetuar dhe ka punuar në Kosovë, shërbimi ynë i është referuar institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë dhe shërbimit sekret të Kosovës për të sjellë informacion. Dhe ata e kanë sjellë informacionin.

Informacioni i ardhur nga Kosova është fshehur. Është fshehur, sepse është informacion që jo vetëm e nxin Vlora Hysenin, por është informacion që ajo jo vetëm që nuk mund të ishte këshilltare për sigurinë kombëtare, ajo nuk mund të merrte as nënshtetësi shqiptare, mbështetur në atë informacion.

Informacioni që ka ardhur, që është për dosjen e saj për pajisjen me certifikatë sigurie, është fshehur dhe sot ai nuk zhduket dot, se e kanë arkivat e SHISH-it.

Por ai informacion, ai raport është fshehur dhe është bërë një raport tjetër falso, mbi të cilin i është dhënë certifikata e sigurisë.

Ky që nuk e dinë se kush është, nuk mjafton me kaq.

Kur është emëruar drejtoreshë e SHISH-it, ju e dini që, sipas ligjit për shërbimin informativ, drejtori i propozohet nga Kryeministri dhe emërohet nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës, pavarësisht me apo pa certifikatë, është i detyruar me ligj të marrë informacion në institucionet e sigurisë kombëtare për personin që emëron.

Dhe Presidenti i Republikës ka qenë i detyruar të marrë informacion, jo vetëm në institucione, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, por edhe në SHISH.

Dhe Presidenti i Republikës e ka emëruar drejtoreshë, e ka dekretuar drejtoreshë të SHISH-it duke pasur ato cene.

Çfarë them me këtë?

Informacioni i ardhur nga Kosova ka qenë informacion që i është bërë i ditur edhe Kryeministrit, edhe Presidentit.

Nëse emërimi i saj si këshilltare për sigurinë ka qenë në dorë të Kryeministrit, emërimi i saj si drejtoreshë e SHISH-it ka qenë Kryeministri dhe Presidenti bashkë.

Edhe Kryeministri, edhe Presidenti e kanë ditur, kur e kanë emëruar, që ajo nuk kualifikohet për certifikatë sigurie dhe ajo nuk mund të ishte në atë detyrë.

Dhe i bëj thirrje SPAK-ut që, para se të merret me këto, të hetojë mënyrën se si ajo ka marrë certifikatën e sigurisë, në mënyrën se si është emëruar nga Kryeministri dhe në mënyrën se si është dekretuar nga Presidenti.

Dhe në fillim të fjalës e thashë, para pak ditësh është larguar, është ndërruar, është larguar nga detyra drejtori i DSIK-së.

Gjithë skema institucionale që çon tek emërimi i saj dhe pajisja me certifikatë sigurie kalon nëpërmjet DSIK-së.

Pra, kemi këto elementë: kemi Kryeministrin, kemi Presidentin e Republikës, kemi DSIK-në, kemi edhe ata punonjës të Shërbimit Informativ.’, u shpreh ndër të tjera Avenir Peka.