Ballina Bota Ekzekutimi i Christe Pike më 30 shtator, avokatët kërkojnë faljen e dënimit...

Ekzekutimi i Christe Pike më 30 shtator, avokatët kërkojnë faljen e dënimit me vdekje

69
0

Në Tennessee janë bërë thirrje të shumta për shtyrjen e ekzekutimit të Christe Pike, i planifikuar për 30 shtator. Nëse dënimi zbatohet, Pike do të bëhet gruaja e parë e ekzekutuar në këtë shtet amerikan pas më shumë se 200 vjetësh.

Pike u dënua me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995. Në atë kohë, ajo ishte 18 vjeçe dhe u bë gruaja më e re e dënuar me vdekje në historinë e SHBA-së. Sipas dosjes së çështjes, ajo dhe dy bashkëpunëtorë e joshën Slemmerin në një zonë pyjore në Knoxville, ku viktima u rrah dhe u godit me thikë.

Avokatët e Pike i kanë kërkuar guvernatorit të Tennessee, Bill Lee, faljen e dënimit me vdekje. Në kërkesën e tyre ata kanë përshkruar historinë e abuzimit seksual dhe dhunës që Pike, sipas tyre, kishte përjetuar që nga fëmijëria, si dhe problemet e rënda psikike që lidhen me këto trauma, raportojnë mediat.

“Veprimet e saj në moshën 18-vjeçare nuk mund të shihen të shkëputura nga një fëmijëri e karakterizuar nga përdhunimet, abuzimi seksual dhe neglizhenca”, thuhet në kërkesën për falje. Avokatja Kelly Gleason tha se guvernatori ka mundësinë të korrigjojë dështimet e institucioneve që, sipas saj, nuk e mbrojtën Pike gjatë fëmijërisë.

Për shtyrjen e ekzekutimit kanë bërë thirrje edhe organizata dhe grupe të tjera. Grupi “Mercy for Christa” argumenton se burgimi i përjetshëm do të ishte dënim i përshtatshëm, duke theksuar pasojat fizike dhe psikologjike të abuzimit që ajo kishte përjetuar gjatë fëmijërisë.

Sipas planit aktual, Christe Pike pritet të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës më 30 shtator. Tennessee nuk e kundërshton historinë e abuzimit seksual të Pike, ndërsa vendimi për kërkesën për falje i takon guvernatorit Bill Lee.