Ballina Politika Vangjeli: Ministrja Spahiu bën premtime në parlament, por dyert ministrisë të mbyllura...

Vangjeli: Ministrja Spahiu bën premtime në parlament, por dyert ministrisë të mbyllura për qytetarët

45
0

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, denoncoi sot rastin e Albi Sulës, një 30-vjeçar që prej tre vitesh përballet me probleme të rënda shëndetësore, pa marrë një diagnozë dhe zgjidhje të qartë në Shqipëri.

Nëna pensioniste e të riut u detyrua të shtrihej në tokë para Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar ndihmë për djalin e saj ndërsa nuk ka mundësi ekonomike për ta përballuar.

Partia Demokratike i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të trajtojë menjëherë rastin, të sigurojë një vlerësim të plotë mjekësor dhe të ofrojë të gjithë mbështetjen e parashikuar me ligj për trajtimin e pacientit, brenda ose jashtë vendit.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Vetëm një ditë pas emërimit të ministres së re të Shëndetësisë, një nënë pensioniste u detyrua të shtrihej në tokë para Ministrisë së Shëndetësisë, për të kërkuar ndihmë për djalin e saj 30-vjeçar, Albi Sulën, i sëmurë dhe i papunë.

Albi prej tre vitesh përballet me dhimbje të forta dhe, sipas dëshmisë së tij dhe familjes, pas vizitave, analizave dhe trajtimeve në Shqipëri ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë për burimin e problemit të tij shëndetësor.

Pasi i është nënshtruar një operacioni onkologjik pranë QSUNT, ky pacient deklaron se nuk ka marrë më asistencë nga bluzat e bardha.

Në këto kushte, ka kërkuar që shteti ta dërgojë në Turqi dhe pas refuzimit, vetë familja e ka dërguar për një ndihmë të specializuar në Turqi nga ku është kthyer me porosinë që të vijojë të kryejë kontrolle periodike për të mbajtur sëmundjen nën kontroll.

Pasi Albi ka rikërkuar ndihmën e shtetit e konkretisht MSH për të mundësuar kontrollet periodike në Turqi për shkak të pamundësisë ekonomike për ti paguar vetë, edhe njëherë tjetër Ministria nuk bën asgjë…

Nëna e Albit mes lotës që dilnin për shkak të pensionit mujor 70 dollarë, papunësisë së djalit për shkak të sëmundjes dhe nevojës së pashmangshme për kurimin e tij,  tha:

Kërkova ndihmë në ministri…u shtriva në tokë…. por askush nuk më priti…..

Kjo ndodhi vetëm pak orë pasi ministrja deklaroi se zyra e saj do të jetë e hapur nga mëngjesi në darkë në shërbim të qytetarëve.

Zonja Ministre, ky është momenti për ta mbajtur premtimin..

Partia Demokratike kërkon trajtim të menjëhershëm të rastit të Albi Sulës, vlerësim të plotë mjekësor dhe çdo mbështetje që parashikon ligji për hospitalizimin dhe trajtimin e tij edhe jashtë vendit.

Askush nuk ka pse shtrihet në tokë për t’u dëgjuar nga shteti.