Ballina Bota ​Singapori dënon me qindra pasagjerët që ndotin transportin publik

​Singapori dënon me qindra pasagjerët që ndotin transportin publik

59
0

Pasagjerët e autobusëve në Singapor tani mund të gjobiten deri në 500 dollarë singaporianë (391 dollarë amerikanë) për vendosjen e këmbëve mbi ulëse ose dëgjimin e materialeve me zë të lartë, si dhe për ngrënie, pirje apo hedhje mbeturinash në autobus.

Për shkelje më të rënda, si pengimi ose rrezikimi i pasagjerëve të tjerë në terminale, apo ndotja e autobusëve dhe terminaleve, gjoba mund të arrijë deri në 5,000 dollarë singaporianë.

Autoriteti i Transportit Tokësor (LTA) tha se rregullat e reja synojnë të krijojnë një mjedis më të sigurt dhe më të këndshëm në transportin publik, transmeton BBC.

Rregullat, të shpallura të hënën, janë në përputhje me ato që tashmë zbatohen në rrjetin hekurudhor MRT. Ndryshe nga më parë, kur sjelljet shqetësuese në autobusë trajtoheshin kryesisht përmes rregullave të kompanive, ato tani konsiderohen shkelje ligjore dhe mund të ndëshkohen me gjoba.

Punonjësit e autorizuar të autobusëve mund të lëshojnë njoftime zyrtare për pasagjerët që dyshohen se kanë kryer shkelje. Shoferët nuk do të kenë këtë kompetencë, por mund t’u kërkojnë pasagjerëve të ndalojnë sjelljen shqetësuese ose të largohen nga autobusi, ndërsa në raste të rënda mund të ndërhyjë policia.

Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në qytete të tjera.

LTA tha se transporti publik është hapësirë e përbashkët dhe se çdo pasagjer ka përgjegjësi për një udhëtim të qetë dhe të këndshëm.