Ballina Kronika Dyshohet për dhunë të vazhdueshme në familje, AMP ndalon oficerin e Policisë...

Dyshohet për dhunë të vazhdueshme në familje, AMP ndalon oficerin e Policisë në Klos, procedohen materialet në Prokurori

43
0

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Kukës-Dibër ka ndaluar sot një oficer të Policisë në Dibër.

Siç bëhet me dije përmes një njoftimi zyrtar, u ndalua shtetasi A.P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Seksionin e Rendit Publik, në Stacionin e Policisë Klos, Komisariati i Policisë Mat, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Ndalimi i tij u krye në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.

Sipas kallëzimit, punonjësi i Policisë dyshohet se, në mënyrë të vazhdueshme, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kallëzueses. Gjithashtu, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vëllait të mitur të kallëzueses.

Pas veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për vijimin e hetimeve dhe procedurave të mëtejshme ligjore.