Ballina Politika ‘Shqipëria është përjashtuar nga informacionet sekrete të NATO-s’/ Poli Hoxha për akuzat...

‘Shqipëria është përjashtuar nga informacionet sekrete të NATO-s’/ Poli Hoxha për akuzat ndaj Vlora Hysenit: Në qendër të skandalit është kryeministri

55
0

Analisti Poli Hoxha në një intervistë komentoi akuzat e SPAK për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hysenin.

Hoxha u shpreh se në krye të skandalit qëndron kryeministri i vendit, Edi Rama. Shtoi se Rama ka pasur sinjale se punët në SHISH nuk shkojnë mirë, sepse Shqipëria është përjashtuar nga vendet e NATO-s, që shpërndajnë informacione sekrete me njëra-tjetrën.

Hoxha theksoi se skema e zbuluar e skandalit dëshmon sesi funksionon një organizatë kriminale, me në krye të parin e qeverisë.

“Lajmi ishte i pritshëm, sepse emri i përfshirjes së Vlora Hysenit në afera kishte dalë. Të shkojë puna deri në masën e arrestit të kreut të SHISH, të një vendi anëtar të NATO-s është një lajm europian dhe madje edhe botëror.

Ky është mesazh drejtësie dhe gjeostrategjik. Në botë është më e thjeshtë të arrestosh një kryeministër sesa kreun e SHISH. Hyseni ka dy akuza, për përkrahje të Ergys Agasit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Unë kam informacion se më shumë akuza mund të shtohen ndaj Vlora Hysenit. Të bën përshtypje sesa lehtë është kapur nga një koordinator i krimit të organizuar. Aktet e saj janë akte të cenimit të sigurisë kombëtare.

Ngjarja nuk vjen e papritur. Shqipëria është i vetmi vend, që është anëtar i NATO-s, dhe është përjashtuar nga informacionet sekrete që vendet e NATO-s shpërndajnë. Pra, Shqipëria është përjashtuar, kështu që kryeministri i ka pasur sinjalet. Do dëgjojmë skandale më të mëdha se ky.  Në qendër të kësaj skeme kriminale është vetë kryeministri. Kjo nënkupton që edhe këta personazhe e kanë kapur Ramën, është ajo shprehja që nëse do fundosemi, do fundosemi bashkë. Është një organizatë kriminale e strukturuar, që vepron qoftë me mini-organizata të pavarura, me në krye kryeministrin”, tha Hoxha.