Ballina Europë Itali/ Shtirej si gjinekolog dhe u kërkonte grave foto e video intime,...

Itali/ Shtirej si gjinekolog dhe u kërkonte grave foto e video intime, 44-vjeçari përfundon në gjyq

39
0

Një 44-vjeçar është dërguar në gjyq nga Gjykata e Leçes, pasi akuzohet se është shtirur si gjinekolog dhe u ka kërkuar dhjetëra grave fotografi dhe video intime.

Sipas hetimeve, ngjarjet kanë ndodhur mes korrikut dhe tetorit të vitit 2021, ndërsa në këtë rast dyshohet se janë përfshirë 18 gra, të moshës 20 deri në 40 vjeç, shumica prej tyre me banim në Leçe.

I dyshuari akuzohet për tentativë të dhunës seksuale, marrje të paligjshme të të dhënave personale dhe uzurpim të funksioneve publike.

Rasti u denoncua fillimisht nga një studente 24-vjeçare nga Leçe. Sipas rindërtimit të hetuesve, 44-vjeçari dyshohet se kishte siguruar të dhëna shëndetësore të grave dhe më pas i kishte kontaktuar në telefon, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si gjinekolog i strukturës spitalore ku ato kishin kryer më parë analiza dhe ekzaminime.

Ai dyshohet se u komunikonte grave diagnoza të rreme dhe u kërkonte të dërgonin fotografi të pjesëve intime të trupit, me pretendimin se ato nevojiteshin për ekzaminime të mëtejshme.

Sipas akuzës, në disa raste ai u sugjeronte edhe një “terapi” që përfshinte akte autoerotike para kamerës së kompjuterit, ndërsa u kërkonte gjithashtu informacione të hollësishme mbi jetën e tyre seksuale.

Hetimet zbuluan se në rastin konkret ishin përfshirë 18 gra, ndërsa, sipas burimeve italiane, i akuzuari kishte arritur të siguronte dhjetëra materiale intime.

44-vjeçari ndodhet aktualisht në paraburgim. Sipas të dhënave të bëra publike, ai kishte pasur edhe më parë probleme me drejtësinë për fakte të ngjashme. Në vitin 2012 ishte arrestuar pas një hetimi të kryer nga Policia Postare dhe më vonë ishte dënuar nga Gjykata e Bolonjës.

Tashmë, 44-vjeçari do të përballet me procesin gjyqësor për akuzat që lidhen me ngjarjet e vitit 2021.